Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Dënohet me gjobë i akuzuari për sulm ndaj gazetarit gjatë protestave të 2023-tës në veri

Dalibor Spasiq

Gjykata Themelore në Mitrovicë të enjten e dënoi të akuzuarin Dalibor Spasiq me 10 mijë euro gjobë për veprat penale “sulm” dhe “pjesëmarrje në turmë që kryen huliganizëm”.

Spasiq gjatë protestave të dhunshme të 2023-tës në veri e ka sulmuar gazetarin Burim Zariqi. Ky është aktgjykimi i parë që konkretisht i referohet lëndimit të një gazetari gjatë protestave të dhunshme të serbëve në veri të vitit 2023 ku u sulmuan gazetarët, policët dhe pjesëtarët e KFOR-it.

Gjyqtarja Marigona Lajqi tha se me shqiptimin e dënimit e ka marrë parasysh se me sulmin ndaj gazetarit është sulmuar liria e shprehjes, që është vlerë e mbrojtur me Kushtetutë.

Lajqi tha po ashtu se e ka marrë parasysh faktin që i akuzuari nuk figuron të jetë i dënuar më herët për ndonjë vepër penal.

Në shqyrtimin fillestar për këtë rast, Spasiq e ka pranuar fajësinë e më pas u mbajt edhe seancë e veçantë lidhur me marrëveshjen për pranimin e fajësisë që e ka lidhur i akuzuari me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Edhe Dënohet Dalibor Spasiq për sulm ndaj gazetarit Zariqi, gjatë protestave në veri LAJMET E MBRËMJES Dënohet Dalibor Spasiq për sulm ndaj gazetarit Zariqi, gjatë protestave në veri

Sipas aktakuzës në 31 maj në Zveçan, Spasiq, me dashje përdor forcën ndaj gazetarit të “RTV 21” Burim Zariqit, i motivuar në bazë të kombësisë, në atë mënyrë, që derisa i dëmtuari ishte duke i përcjellë protestat që zhvilloheshin nga komuniteti serb afër objektit të komunës së Zveçanit, dhe ishte një grup i protestuesve me maska të cilët nisen në drejtim të një veture të Policisë së Kosovës, ku i dëmtuari niset në drejtim të tyre me qëllim të fotografimit dhe xhirimit, në ato momente një grup prej tre personave i kërkojnë të dëmtuarit që t’i fikë pajisjet, dhe e fyejnë si dhe kërkojnë që të largohen dhe në momentin që fillojnë ekipi te largohet, grupi i personave fillojnë t'i ndjekin dhe gjatë largimit, i pandehuri përdor forcën ndaj të dëmtuarit – gazetarit Burim Zariqi, duke e goditur me grusht në bel në anën e djathtë. Ai e ka mbajtur një muaj paraburgim gjatë periudhës së hetimit të rastit.

VIDEO: