Kronikë

Dënohen me 500 euro dhe i konfiskohet leja shoferëve të rinj që zhvilluan gara shpejtësie në Ferizaj

Ferizaj

Dy shoferë të rinj janë dënuar nga Policia e Kosovës, pasi u kapën duke zhvilluar gara të rrezikshme shpejtësie në rrugën Varosh–Gërlicë në Ferizaj, duke rrezikuar rëndë sigurinë publike.

Shoferi B.S., 22 vjeç, me veturë të tipit BMW dhe targa të Zvicrës, u kap duke vozitur me një shpejtësi prej 192 km/h në një zonë me kufizim shpejtësie prej vetëm 60 km/h. Për këtë shkelje të rëndë, ai u gjobit me 500 euro, iu ndalua e drejta për të drejtuar automjet në Kosovë për 12 muaj, ndërsa autoritetet e Zvicrës janë njoftuar, bazuar në marrëveshjen bilaterale me Policinë e Kosovës, pasi i riu posedonte patentë të lëshuar nga Zvicra.

Ndërkaq, shoferi tjetër, F.S., 20 vjeç, shtetas i Kosovës, u ndalua duke drejtuar një veturë Porsche me targa të huaja, me shpejtësi prej 185 km/h në të njëjtën zonë. Edhe ai u ndëshkua me 500 euro gjobë, iu shqiptuan 5 pikë negative, dhe po ashtu u ndalua nga vozitja për 12 muaj.

Policia e Kosovës bëri të ditur se matja e shpejtësisë është realizuar përmes veturës inteligjente policore me radar të avancuar, dhe paralajmëroi masa të shtuara kontrolli në të gjitha rrugët e rajonit të Ferizajt.