Policia ka nisur hetimet për një rast kallëzimi të rremë në Ferizaj.
Sipas Policisë, më 2 korrik në stacion është paraqitur 55-vjeçari R.E., shtetas i Maqedonisë së Veriut me banim në Gjermani, i cili është ankuar se i është vjedhur vetura në Ferizaj me vlerë 130 mijë euro.
Por, zyrtarët pas hetimit kanë konstatuar se ankuesi nuk kishte qenë me veturën e deklaruar dhe se kishte tentuar ta mashtronte sigurimin e lëshuar nga autoritetet gjermane.
Policia ka kërkuar mbështetje nga autoritetet gjermane dhe të Maqedonisë së Veriut për lokalizimin e veturës. I dyshuari është thirrur për intervistim, por sipas PK-së, ai nuk është paraqitur ende.
“Pas veprimeve hetimore dhe shqyrtimit të kamerave të sigurisë, u konstatua se ankuesi nuk kishte qenë fare me veturën e deklaruar, duke ngritur dyshime të arsyeshme për kallëzim të rremë. Dyshohet se qëllimi i këtij veprimi ka qenë keqpërdorimi apo mashtrimi i sigurimit, të lëshuar nga autoritetet gjermane”, njoftoi PK.