Gjykata Themelore në Prishtinë të martën ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Hysri Peqanit, i njohur si “Burdushi”, lidhur me akuzën për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje, duke e dënuar me dënim unik prej 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 42 mijë euro gjobë.
Aktgjykimi ndaj Peqanit u shpall nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në seancën e 23 dhjetorit 2022, prokurorja Merita Bina-Rugova në fjalën përfundimtare ka njoftuar se ka bërë precizimin e dispozitivit të parë të aktakuzës, të cilin e ka ndarë në dy pjesë, mirëpo tha se kualifikimi i veprës penale është i njëjti.
Sipas aktakuzës, prej kohës së pavërtetuar e së paku nga koha e regjistrimit të biznesit privat ordinanca “Burdushi”, me aktivitetin primar, aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, më 15 qershor 2005 e deri më 26 korrik 2019, në Prizren, i akuzuari Hysri Peqani-Burdushi, ka mjekuar persona të ndryshëm anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore.
Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, e ka bërë ndonëse nuk kishte kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse.
Edhe
Shpend Ahmeti dënohet me 2 vjet burgim
Sipas Prokurorisë, Peqani e kishte bërë një gjë të tillë me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti, të dëmtuarve iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t’i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3 mijë euro, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro.
Për këto, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 262, paragrafi 1 i KPRK-së lidhur me veprën penale mashtrimi në vazhdimësi nga neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal.
Prokuroria Speciale e ngarkonte të akuzuarin Peqani edhe me veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje”, pasi që sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e tij në Prizren, janë gjetur armë, pistoletë e tipit “Girsan” si dhe pushkë gjuetie të tipit “Super Campion”.
Edhe
Ish-kryetari i Prishtinës dënohet me 2 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë për mosdeklarim të 172 mijë eurove
Prokuroria pretendonte se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transferove bankare , ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.
Për këto veprime, ai akuzohej për veprën penale të “Shpëlarjes së parave” nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 32, paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafi 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit. /BpD