Arbëri

Apeli ia kthen mbrapsht Themelores vendimin për rastin “Spitali Amerikan”

Gjykata e Apelit e ka anuluar aktvendimin e Themelores në Prishtinë për ta hedhur poshtë aktakuzën për rastin e njohur si “Spitali Amerikan”. Gjykata e shkallës së dytë konstatoi një numër shkeljesh në rastin me tetë të akuzuar për vepra të ndryshme penale, përfshirë falsifikim dokumentesh e shpëlarje të mbi 3.4 milionë eurove.

Një numër shkeljesh i ka gjetur Gjykata e Apelit në aktvendimin e Themelores, me të cilin e pati rrëzuar aktakuzën në rastin e Spitalit Amerikan, ku dyshohet për shpëlarje të mbi 3.4 milionë eurove.
Shkalla e dytë e ka anuluar aktvendimin e Themelores.

“Kolegji vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka vepruar jashtë kufijve të aktakuzës, përkatësisht jashtë periudhës kohore për të cilën akuzohen të pandehurit, duke interpretuar dhe ndryshuar gabimisht gjendjen faktike dhe duke konstatuar në mënyrë të pasaktë arritjen e parashkrimit absolut të veprave penale të përshkruara në aktakuzë, gjë që ka çuar edhe në aplikim të gabuar të ligjit penal”, thuhet në aktvendimi i Apelit në rastin “Spitali Amerikan”.

Në këtë rast akuzohen pronarja e “Medbrand KS”, Edlira Galanxhi-Malaj, bashkë me kompaninë e saj; pastaj ndërmarrja “American Hospital Kosova” bashkë me aksionarin kryesor Klodian Allajbeu dhe drejtorin Ilgi Larashi; “Qendra Kardiale e Kosovës” me drejtorin Ekrem Lluka dhe pronarin e saj, Korab Lluka.

Themelorja e pati rrëzuar aktakuzën. Por Apeli ka vlerësuar se kur është marrë vendimi, gjykata e shkallës së parë e ka keqinterpretuar edhe gjendjen faktike të përshkruar në aktakuzë.

Në aktgjykimin e Themelores thuhej se veprimet hetimore lidhur me dokumentet e falsifikuara prekin vitet 2014 dhe 2015, gjë që i bën hetimet të kundërligjshme. Por Apeli ka gjetur se në këtë rast veprimet e Prokurorisë janë në përputhje me ligjin, meqë organi i akuzës ka pretenduar se dokumentet janë vënë në funksion të shpëlarjes së parave në një periudhë të mëvonshme.
“Në dispozitivët I, II, III, V dhe VI të aktakuzës, të pandehurit inkriminohen për veprime që kanë përdorur dokumente të falsifikuara duke prezantuar kontrata, marrëveshje dhe dokumente të tjera të falsifikuara para Administratës Tatimore të Kosovës dhe Policisë së Kosovës gjatë marsit 2021 dhe qershorit 2023, me qëllim të përfitimit financiar dhe justifikimit të transaksioneve”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Për ta rrëzuar aktakuzën, kryetari i trupit gjykues i Themelores, Vesel Ismaili, pati vlerësuar se kur dokumente janë nënshkruar nga personi i autorizuar, nënshkrimi ka qenë origjinal, por përmbajtja e pavërtetë, dhe në këtë rast ka konstatuar se nuk bëhet fjalë për falsifikim dokumenti. Për këtë, referencë ka përdorur një komentar të Ligjit Penal të Serbisë, të vitit 1981.

Edhe ky arsyetim i gjyqtarit Ismaili është rrëzuar nga kolegji i gjyqtarëve të Apelit, i përbërë nga Mentor Bajraktari, Afërdita Bytyçi dhe Ferit Osmani, të cilët kanë elaboruar nenin 390 të Kodit Penal të Kosovës.

“Në nenin 390, paragrafi 1 të KPRK-së është parashikuar forma themelore e veprës penale të falsifikimit të dokumenteve, ku përcaktohet se: ‘Kushdo që përpilon dokument të falsifikuar, ndryshon dokumentin origjinal me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal ose me dije përdor dokumentin e falsifikuar apo të ndryshuar si origjinal, dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër (4) vjet. Ndërsa paragrafi 3 i këtij neni përcakton se: ‘Kushdo që e kryen veprën e paraparë në paragrafët 1 ose 2 të këtij neni si anëtar i grupit të njerëzve, dënohet me gjobë dhe burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet’. Pra, kjo vepër penale kryhet në disa forma alternative: Përpilimi i dokumentit të falsifikuar (kur krijohet dokument i ri i rremë); Ndryshimi i dokumentit origjinal (kur përmbajtja ose forma modifikohet); Përdorimi i dokumentit të falsifikuar (si origjinal, duke ditur se është i falsifikuar)”, thuhet në aktgjykim.

Gjykata e Apelit ia ka kthyer në rivendosje lëndën Themelores dhe i ka kërkuar që t’i eliminojë shkeljet, që ta përcaktojë në mënyrë të saktë kohën e kryerjes së veprave penale dhe të zbatojë ligjin penal në fuqi, si dhe “të japë arsyetim të qartë e të plotë ligjor, duke nxjerrë vendim të drejtë dhe të bazuar në ligj”.