Ashensori që ra nga kati i dytë në bodrum të një ndërtese në lagjen “Kalabria” në Prishtinë, lëndoi 6 persona që ishin brenda. Shkaqet e rënies së tij nuk dihen ende. Policia thotë se po vazhdon hetimet, e në QKUK thonë se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën.
Ende nuk dihen shkaqet që çuan në rënien e ashensorit, me ç’rast mbetën të lënduar 6 persona në një ndërtesë në lagjen “Kalabria” në Prishtinë.
6 personat ishin në katin e dytë kur ranë në bodrumin e ndërtesës.
Të lënduarit janë shtruar të shtunën në Emergjencën e QKUK-së dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Të dielën shumica prej tyre janë liruar nga spitali.
“Mbrëmë, rreth orës 23:30, në Klinikën Emergjente të QKUK-së janë pranuar 6 persona të lënduar nga rënia e liftit . Pas ndihmës mjekësore emergjente, 5 persona janë liruar në shtëpi, kurse 1 është pranuar për trajtim të mëtejmë në Klinikën e Ortopedisë, por është jashtë rrezikut për jetën”, ka thënë Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së.
Policia ka thënë se rastin e kanë kategorizuar si lëndim të rëndë trupor, ndërsa kanë theksuar se hetimet për këtë rast po vazhdojnë.
“Është raportuar se si pasojë e një ashensori i cili ka rënë në një ndërtesë nga kati i dytë në bodrum, lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona viktima femra kosovare, të cilat janë dërguar në QKUK për trajtim të nevojshëm mjekësor. Njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, rasti është në procedurë hetimore”, ka thënë Policia.
Banorët e kësaj ndërtese, të rrugës “Hisni Gashi”, prapa kamerave kanë thënë që ata kanë pasur vazhdimisht probleme me ashensorin dhe janë ankuar të kompania që e mirëmban.
Edhe
Tre të lënduar nga rënia e ashensorit në Emshir të Prishtinës
Po sipas tyre, deri tash nuk është vepruar në sanimin e problemit.
E nga kompania “Hymeri Elevators”, përgjegjëse për këtë ashensor, kanë thënë që nuk e dinë shkakun e rënies.
Ata kanë pohuar se në këtë ndërtesë kanë intervenuar disa herë.
“Ne kemi një ekip të mirëmbajtjes të angazhuar vetëm për këtë lagje. Nuk e dimë ende shkakun për të cilin ka ndodhur rasti i mbrëmshëm në rr. ‘Hisni Gashi’, sepse nuk jemi lejuar të kemi qasje në ashensor. Atje pritet të dalë trupa e autorizuar / licencuar nga MTI-ja për ta ekzaminuar rastin dhe besoj del edhe me një raport”, ka thënë Zenel Gashi nga kompania “Hymeri Elevators”.
Një numër i madh i objekteve banesore në kryeqytet ende nuk e kanë pranimin teknik.