Kronikë

Babë e bir dënohen me 43 vjet burgim për vrasjen e dyfishtë në Shaptej të Deçanit

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Durim e Sali Lushajt, për vrasjen e dyfishtë në Shaptej të Deçanit, duke i dënuar me dënim unik prej 43 vjetësh burgim.

Durim Lushaj akuzohej se më 25 gusht 2016, në fshatin Shaptej të Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.R. Kurse, pas kësaj, ngarkohet se bashkë me babanë e tij, Sali Lushaj kanë vrarë tani të ndjerin B.R.

Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve, u shpall të premten nga gjykatësja Violeta Husaj-Rugova.

Sipas aktgjykimit, Durim Lushaj për veprën penale “Vrasje e rëndë” dënohet me 24 vjet burgim, kurse për veprën e dytë armëmbajtje pa leje, dënohet me dy vjet burgim. Të njëjtit, gjykata i shpalli dënim unik prej 25 vjetësh burgim.

Kurse, Salih Lushaj për veprën penale “Vrasje e rëndë” u dënua me 17 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje, u dënua me dy vjet burgim. Të njëjtit, iu shpall dënim unik me 18 vjet burgim.

Gjykatësja Husaj-Rugova njoftoi se të akuzuarve, iu vazhdohet masa e paraburgimit pas shpalljes së aktgjykimit.

Pas shpalljes së aktgjykimit, njëri nga familjarët e familjes Lushaj iu drejtua kryetares Violeta Husaj-Rugova, duke i thënë se nuk dinte të gjykonte.

Kjo bëri që i njëjti të përjashtohej nga gjykimi dhe më pas filluan britmat e sharjet në mes të familjarëve dhe familjarëve të palës së dëmtuar.

Aktgjykimi dënues i njëjtë ndaj dy të dënuarve ishte shpallur edhe më 14 prill 2018. Por Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim lëndën për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale dhe vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohej se më 25 gusht 2016, rreth orës 18:30, në fshatin Shaptej të Komunës së Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, me armë zjarri ka privuar nga jeta R.R.

Sipas aktakuzës, i njëjti pasi kishte privuar nga jeta R.R, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e B.R, po ashtu me armë zjarri.

Sipas aktakuzës, ata me këto veprime kanë vënë në rrezik edhe jetën e të miturit A.R, G.R e M.R.

Që të dy, akuzoheshin nga prokuroria për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe veprës penale të armëmbajtjes pa leje. /BetimipërDrejtësi