Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 24 vjet dënim unik Besnik Salihun, i akuzuar për veprat penale “Vrasje” dhe “Mbajtje, pronësi ose kontroll të paautorizuar të armëve”, Dumnicë të Podujevës më 2023.
Ndërkaq të akuzuarin Ilaz Salihu, Gjykata e liroi nga akuza për ndihmë në vrasje, pasi nuk u provua se ka kryer veprën që i vihej në barrë.
Gjykata Themelore në Prishtinë pati shpallur aktgjykim dënues ndaj Besnik Salihut duke e dënuar me dënim unik prej 25 vjet burgim për rastin e vrasjes së S.S., pasi iu rikualifikua vepra penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje” dhe për armëmbajtje pa leje. Kurse, vëllai i tij, Ilaz Salihu u lirua nga akuza. Por, Gjykata e Apelit me vendimin e datës 23 qershor 2026, anuloi aktgjykimin e shkallës së parë dhe e ktheu rastin në rigjykim
Sipas aktakuzës, më 26 mars 2023, rreth orës 18:08, në fshatin Dumnicë e Epërme, Komuna e Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit Besnik Salihu dhe tani të ndjerit S.S., i akuzuari në mënyrë dinake dhe papritur iu afrua të ndjerit S.S. me qëllim që t’i merrte jetën. Në aktakuzë thuhet se i akuzuari kishte shtënë me armë zjarri, duke qëlluar dy herë në kokë tani të ndjerin S.S., një herë me pistoletë në anën e majtë të kokës dhe një herë me armë të gjatë nën mjekër, duke i shkaktuar gjakderdhje masive të jashtme trunore. Për shkak të plagëve të marra nga predhat e shkrepura në kokë, tani i ndjeri S.S. ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa i akuzuari Besnik u largua nga vendi i ngjarjes.