Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Nga Zendaya te Florence Pugh: 19 aktoret që mund të bëhen partneret e reja të James Bondit

Zendaya, Florence Pugh, Lily James, Emily Blunt, Anya Taylor-Joy, Margot Robbie

Zendaya, Florence Pugh, Lily James, Emily Blunt, Anya Taylor-Joy, Margot Robbie

Foto: Associated Press

Pas konfirmimit të aktorit Robert Pattinson si James Bondi i ri, kanë nisur spekulimet se cila aktore do të marrë rolin e partneres së famshme të agjentit 007 në filmin e ardhshëm.

Amazon MGM Studios ka konfirmuar se aktori britanik 40-vjeçar do të jetë James Bondi i ri. Filmi do të drejtohet nga Denis Villeneuve, ndërsa skenarin do ta shkruajë Steven Knight. Producentë janë Amy Pascal dhe David Heyman.

Revista Variety ka publikuar një listë me 19 aktore që mund të jenë pjesë e filmit të ri, duke përfshirë emra të njohur të Hollywoodit si Zendaya, Florence Pugh, Margot Robbie dhe Emily Blunt.

Gjatë historisë së këtij ekskluziviteti kinematografik, rolet e njohura si “Bond Girl” kanë sjellë disa prej personazheve më të paharrueshme gra në film. Ndër to janë Ursula Andress në “Dr. No” (1962), Honor Blackman në “Goldfinger” (1964), Diana Rigg në “On Her Majesty’s Secret Service” (1969), Michelle Yeoh në “Tomorrow Never Dies” (1997), Eva Green në “Casino Royale” (2006) dhe Léa Seydoux në “Spectre” dhe “No Time to Die” (2021).

Sipas Variety, regjisori Denis Villeneuve është një arsye për të pritur një rol të fuqishëm femëror, pasi në filmat e tij ka krijuar personazhe të spikatura për aktore si Amy Adams, Emily Blunt, Rebecca Ferguson dhe Zendaya.

19 aktoret që përmenden si kandidate të mundshme:

Adria Arjona - Aktorja me origjinë nga Porto Riko shihet si një kandidate e fortë, falë roleve të saj në filma aksion. Në filmin “Hit Man” ka dëshmuar se mund të kombinojë joshjen me zgjuarsinë dhe aftësinë për të sfiduar personazhet meshkuj.

Emily Blunt  - Pas roleve në “Sicario”, “Edge of Tomorrow” dhe filmat “A Quiet Place”, ajo ka dëshmuar se mund të përballojë skena të vështira aksioni. Një rol si agjente me përvojë e inteligjencës britanike do t’i përshtatej shumë.

Gemma Chan - Aktorja e njohur nga “Crazy Rich Asians”, “Eternals” dhe “The Creator” ka një elegancë dhe autoritet që do t’i përshtateshin universit të Bondit. Ajo është gjithashtu pjesë e videolojës “007 First Light”, ku huazon zërin për një personazh të lidhur me MI6 (Shërbimin Sekret Inteligjent Britanik).

Marion Cotillard - Fituesja e çmimit “Oscar” ka përvojë në filma me spiunazh, mashtrime dhe intriga, si “Allied” dhe “Inception”. Në moshën 51-vjeçare, ajo do të sillte edhe një perspektivë ndryshe nga tradita e përzgjedhjes së aktoreve më të reja për këto role.

Chase Infiniti  - Pas debutimit në filmin “One Battle After Another”, ajo ka tërhequr vëmendjen e industrisë së filmit. Revista sugjeron se mund të luajë një agjente të re të MI6, apo edhe një personazh që mund të sfidojë vetë Bondin.

Lily James - E njohur nga projektet filmike “Downton Abbey”, “Cinderella” dhe “Baby Driver”, aktorja ka dëshmuar aftësitë e saj në role të ndryshme. Një film i James Bondit mund të jetë hapi i saj i madh drejt një ekskluziviteti ndërkombëtar.

Gugu Mbatha-Raw - Aktorja britanike ka luajtur në serialin “Loki” dhe thrillerin psikologjik “Surface”. Ajo mund të sjellë një kombinim të inteligjencës, elegancës dhe misterit në botën e spiunazhit.

Isabela Merced - E njohur nga “Transformers”, “Alien: Romulus” dhe seriali “The Last of Us”, ajo ka përvojë në produksione të mëdha aksioni dhe fantashkencë.

Inde Navarrette - Pas roleve në “Superman & Lois” dhe “13 Reasons Why”, aktorja ka nisur të fitojë më shumë vëmendje në Hollywood. Një rol si agjente e re do të mund të ishte një mundësi e rëndësishme për karrierën e saj.

Lupita Nyong’o - Fituesja e “Oscarit” për filmin “12 Years a Slave” ka luajtur edhe një agjente sekrete në “The 355” dhe personazhin Nakia në “Black Panther”. Ajo do të ishte një aleate interesante, besnikëria e së cilës mund të mbetej mister deri në fund.

Florence Pugh - Aktorja ka përvojë në skena luftimi falë rolit të Yelena Belovës në filmat e “Marvelit”. Për më tepër, ajo do të luajë përkrah Pattinsonit në filmin “Dune: Part Three”, çka do të mund t’i ndihmonte në krijimin e kimisë në ekran.

Margaret Qualley - Aktorja tërhoqi vëmendjen gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Oscar” të vitit 2025, kur performoi në një homazh kushtuar filmave James Bond. Aftësitë e saj në vallëzim dhe prania skenike do t’i jepnin një dimension interesant personazhit.

Margot Robbie - Pas roleve në “The Wolf of Wall Street”, “Focus” dhe “Barbie”, ajo ka dëshmuar se mund të luajë personazhe të forta, të paparashikueshme dhe plot karizëm. Revista e imagjinon në rolin e një antagonisteje elegante dhe të rrezikshme.

Anna Sawai - Aktorja japoneze fitoi çmimin Emmy për rolin në serialin “Shōgun”. Ajo ka përvojë edhe në filma aksion si “Ninja Assassin” dhe “F9”, duke dëshmuar se mund të sjellë njëkohësisht mister, forcë dhe emocione.

Hunter Schafer - E njohur nga seriali “Euphoria”, ajo mund të bëhej aktorja e parë transgjinore që merr rolin e vajzës Bond. Revista vlerëson aftësitë e saj në aktrim dhe potencialin për të sjellë një personazh ndryshe në ekskluzivitetin e famshëm.

Sydney Sweeney - Përveç roleve në “Euphoria” dhe “Anyone But You”, aktorja është përgatitur fizikisht për filmin “Christy”, ku interpreton një boksierе. Një rol në një film aksion do t’i jepte mundësinë të tregonte një anë tjetër të aftësive të saj.

Anya Taylor-Joy - Pas filmit “Furiosa: A Mad Max Saga” dhe serialit “The Queen’s Gambit”, ajo ka dëshmuar se mund të interpretojë personazhe të forta dhe komplekse. Gjithashtu, do të jetë pjesë e “Dune: Part Three”.

Sophie Turner - E njohur për rolin e Sansa Stark në “Game of Thrones”, ajo ka treguar se mund të interpretojë personazhe të forta dhe të vendosura. Përgatitja e saj për rolin e Lara Croft në serialin “Tomb Raider” është një tjetër arsye pse shihet si kandidate e mundshme.

Zendaya - Aktorja ka bashkëpunuar disa herë me Robert Pattinsonin, përfshirë filmat “The Drama” dhe “The Odyssey”, ndërsa të dy do të jenë edhe në “Dune: Part Three”. Përvoja e përbashkët dhe kimia e tyre në ekran e bëjnë Zendayan një nga emrat më interesantë të listës.