Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Apeli ia rrit dënimin në 30 vjet burgim të dënuarit për vrasjen e dyfishtë në Junik

Gjykata e Apelit ia ka rritur dënimin në 30 vjet burgim, Bujar Demajt, që është dënuar për vrasjen e Blerim dhe Vllaznim Pukajt në Junik në vitin 2012.

Gjykata Themelore e Pejës kishte dënuar me 27 vjet burgim Demajn për vrasjen e dyfishtë dhe plagosjen e Nazmi Pukajt, por me këtë vendim nuk u pajtua Apeli.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton se Gjykata e Pejës kishte dyfishuar rrethanat lehtësuese ndaj të akuzuarit, kurse nuk kishte vlerësuar drejt rrethanat rënduese, sidomos mënyra e kryerjes së veprës nga i akuzuari.

“Në rastin konkret nuk janë vlerësuar realisht as rrethanat rënduese, e sidomos mënyra e kryerjes së veprës penale, ngase, kur merret parasysh mënyra e kryerjes së veprës penale, ku i akuzuari më parë ua ka zënë rrugën tani të ndjerëve dhe të dëmtuarit, pastaj, përkundër faktit se i dëmtuari N.P., nga goditjet e marra nga i akuzuari tjetër, ka mbetur i shtrirë për tokë, i akuzuari B.D, sërish ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, duke shkaktuar, pra, kështu lëndime të rënda trupore, pastaj, shkon në drejtim të automjetit dhe ka shtënë në drejtim të tani të ndjerit B.P., kurse, dhe pse tani i ndjeri V.P., tenton të largohet nga vendi i ngjarjes, i akuzuari prapë se prapë nga prapa ka qëlluar me armë zjarri tani të ndjerin V, pastaj, duke marrë parasysh moshën e re e tani të ndjerëve, por, edhe sjelljen e të akuzuarit edhe pas kryerjes së veprës penale, ku i njëjti ka qëndruar në arrati në kohëzgjatje prej 10 (dhjetë) vjet, atëherë, rezulton se janë të gjitha këto rrethana rënduese, që po ashtu, gjykata e shkallës së parë, nuk i ka vlerësuar realisht”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Bujar Demaj u arrestua në fillim të vitit pas dhjetë vjetëve në arrati, ndërsa ai u dënua nga Themelorja më 6 prill të këtij viti.