Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet polici në Shtërpcë, dyshohet për përfshirje në skema piramidale dhe bixhoz të paligjshëm

arrestim - pranga

Foto: Ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme që lidhen me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, IPK-ja të enjten ka zhvilluar hetime duke përdorur masa të fshehta, përfshirë edhe simulimin e korrupsionit. Gjatë këtij operacioni, është arrestuar në flagrancë një zyrtar policor nga Stacioni Policor në Shtërpcë, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj.

I dyshuari, sipas hetimeve fillestare, ka pranuar një shumë prej 2,000 eurosh, e cila dyshohet të jetë pjesë e një shume më të madhe, në lidhje me aktivitetet e kundërligjshme që përfshijnë organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Me vendim të prokurorit të rastit, zyrtari policor është ndaluar për 48 orë. 

Ai dyshohet për veprën penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.