Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet një person, tentoi të lidhë kontratë në noteri për shitblerje të pronës rreth 800,000 euro

Hetues të Policisë së Kosovës nga Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë pas veprimeve hetimore-operative dhe në bashkëpunim me autoritetet kompetente kanë arritur të sigurojnë informata në lidhje me aktivitet kriminal.

Sipas njoftimit të Policisë, dyshohet se personi i dyshuar me iniciale Sh.B. ka falsifikuar dokumentin (Aktin Noterial “Autorizimin” për shitblerje të pronës në vlerë rreth 800,000 kinse i njëjti dokument është noterizuar nga një Noteri në Prizren dhe me Autorizim të falsifikuar ka tentuar të lidh kontratë te një Noteri tjetër në Prishtinë, për shitblerjen e pronës në vlerë rreth 800,000 euro me blerësin (viktimën) me iniciale (A.H).

Pas verifikim dhe kontaktit me kompetentët është konstatuar që bëhet fjalë për një Autorizim të falsifikuar, me ç ‘rast janë vënë në dijeni autoritetet për veprimet e dyshuara si të kundërligjshme.

Hetuesit policor për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në rajonin e Prishtinës kanë konfirmuar se prona e cila ka qenë objekt i shit-blerjes (është në pronësi të dikujt tjetër dhe jo të personit që ceket në Autorizimin e falsifikuar) dhe me këtë dëshmohet dyshimi i kryerjes së veprës penale.

“Më këto veprime i dyshuari me iniciale (Sh. B.) dyshohet se ka kryer veprat penale: ‘Mashtrim’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’”, thuhet në komunikatë.

I dyshuari është shoqëruar në Polici dhe është dërguar në mbajtje 48 orë për procedura të mëtejme hetimore.