Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Gani Geci ndalohet për 48 orë, dyshohet se e kanosi gazetarin Lirim Mehmetaj

arrestim - pranga

Foto: Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

(Tekst i përditësuar) -  Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se me urdhër të prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gani Geci, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale ‘’Kanosja’’, ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj. 

Sipas dyshimeve fillestare, thuhet se i dyshuari Geci e ka kanosur gazetarin Mehmetaj, për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.

“Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar i dëmtuari L.M., dhe i dyshuari G.G. me qëllim të grumbullimit dhe mbledhjes së informatave relevante lidhur me rastin. Gjithashtu, Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave relevante për zhvillimin e procedurës së mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. 

Sipas Policisë rasti është raportuar të ketë ndodhur të hënën në mbrëmje.

Siç raportohet, rasti u nis pas një shkrimi të Mehmetajt në Facebook për deputetin e Vetëvendosjes, Fatos Geci, nipin e Ganiut. Pas kësaj, Geci ka shkruar në Facebook se janë “pajtuar e zotuar” si familje që “as Lirim Mehmetaj, e as anëtarët e familjes Geci të mos merren me njëri-tjetrin, as përmes shkrimeve dhe as në televizione”.

Ndërkaq Mehmetaj në një paraqitje televizive mbrëmë në “RTV Dukagjini” tha se e ka paraqitur rastin në polici për kanosje dhe se nuk e fshin postimin.

Edhe Një muaj paraburgim për Gani Gecin, dyshohet se e kanosi gazetarin Lirim Mehmetaj Arbëri Një muaj paraburgim për Gani Gecin, dyshohet se e kanosi gazetarin Lirim Mehmetaj

E në faqen e Gecit, familjarët e tij kanë shkruar se ai ka shkuar vullnetarisht për të dhënë deklaratë në Polici.

Rastin e ka dënuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili ka kërkuar nga Policia që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë fizike të Mehmetajt dhe familjarëve të tij. 

"Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është thellësisht i shqetësuar për kanosjen dhe rrezikimin e sigurisë fizike të gazetarit Lirim Mehmetaj, themelues i Vox Kosova. AGK-ja e dënon në termat më të ashpër aktin e kanosjes së ndodhur mbrëmë, për të cilin është arrestuar ish-deputeti Gani Geci.
Shprehja e mendimit të lirë për çështje me interes publik dhe për figura publike, përfshirë deputetët, është një e drejtë themelore në një shtet demokratik", thuhet në reagimin e AGK-së.