Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci, është liruar nga paraburgimi, ku po mbahej nën dyshimin për kanosje të gazetarit Lirim Mehmetaj.
Geci ka publikuar një foto në profilin e tij në Facebook, bashkë me njërin prej vëllezërve duke shkruar: “Rrugës për Drenicë”.
Gjykata Themelore në Prishtinë konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se masa e paraburgimit, të pandehurit iu ndërpre pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Themelorja ka arsyetuar se në raste të tilla, sikurse në këtë kur ka kërkuar Prokuroria, nuk ka mundësi tjera ligjore përveçse të ndërprejë masën e paraburgimit.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për ndërprerje të masës së paraburgimit, në çështjen penale ndaj të pandehurit G.G., gjyqtari i procedurës paraprake përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur për lirimin e të njëjtit nga masa e paraburgimit. Në arsyetimin e Aktvendimit, gjyqtari i procedurës paraprake ka arsyetuar se në këtë fazë të procedurës penale, gjykata është e lidhur me kërkesen e prokurorisë për ndërprerjen e paraburgimit, andaj ka liruar të pandehurin nga masa, dhe në raste te tilla, gjykata nuk ka mundësi tjera ligjore, përveçse të ndërprejë masën e paraburgimit”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Gjykatës, Mirlinda Gashi.
Ish-deputeti u arrestua më 13 tetor.
Edhe
Një muaj paraburgim për Gani Gecin, dyshohet se e kanosi gazetarin Lirim Mehmetaj
Ndërsa avokati Besnik Berisha ka hedhur akuza ndaj Prokurorisë Themelore në Prishtinë mbi mënyrën se si sipas tij Geci u detyrua të pranonte fajësinë.
Në një shkrim në Facebook, Berisha, që ishte avokat i Gecit, deklaroi se e revokoi autorizimin si mbrojtës pasi “u përballa me një situatë që nuk do të duhej ta përjetonte askush në një shtet që pretendon se sundohet nga ligji”.
Sipas tij, Geci u detyrua të pranonte fajësinë në këmbim të lirimit nga paraburgimi. Ai ka kërkuar hetim për mënyrën se si kanë shkuar procedurat.