Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet i dyshuari që mori kredi mbi 71 mijë euro me dokumente të falsifikuara

Një person është arrestuar pasi dyshohet të ketë aplikuar për kredi-lizing në një bankë me dokumente të falsifikuara.

Sipas komunikatës dërguar mediave, “gjatë veprimeve hetimore, janë siguruar dëshmi se i dyshuari Sh.Sh., gjatë procedurave të kredi-marrjes, ka paraqitur dokumente si: letërnjoftimin, patentë-shoferi, gjendjen e llogarisë bankare, kontratën e punës dhe kontratën e qirasë, të cilat dokumente është vërtetuar se janë të falsifikuara”.

Njoftohet se i dyshuari ka arritur të marrë aprovimin për kredi në shumën prej 71,250 euro.

“I dyshuari pasi që i është aprovuar lizingu nga institucioni bankar, i njëjti e kishte në posedim veturën BMW X7 të cilën e kishte pranuar me lizing për shumën e lartcekur. Pasi është bërë identifikimi i të dyshuarit, nga zyrtarët e institucionit bankar, vetura i është marrë personit të dyshuar. Sot, më 27.06.2023 është arritur të arrestohet ky person i cili më pastaj është intervistuar në prezencën e avokatit të tij mbrojtës dhe ndaj tij është iniciuar rasti karshi veprave penale: ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘mashtrim’”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se i dyshuari me aktvendim të prokurorit kujdestar dërgohen në mbajtje deri në 48 orë.