Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet dhe suspendohet një zyrtar policor për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare

Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

IPK njofton se më 1 shkurt kishte pranuar ankesë nga një qytetar i cili ka pretenduar për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në Lipjan.

“Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot një zyrtar policor (punonjës në Stacionin Policor të Lipjanit) që ishte i përfshirë në këtë incident”, ka njoftuar IPK përmes një komunikate.

Zyrtari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe është suspenduar nga puna.

“Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti”, thuhet më tej.