Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohen në Prishtinë e Pejë 10 të dyshuar për krim të organizuar, 6 në kërkim policor

Arrestim

Arrestim

Dhjetë persona janë arrestuar në Prishtinë e Pejë nën dyshimin për krim të organizuar, organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm, ndërsa gjashtë persona të tjerë janë në kërkim, ka njoftuar Policia e Kosovës të mërkurën.

Policia ka njoftuar se ky aksion, i zhvilluar në dy rajonet, është bërë pas urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Ky operacion policor është zhvilluar pas hetimeve disa mujore, ku personat e dyshuar në bashkëveprim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer veprat penale të lartcekura për një periudhë të gjatë kohore. Gjatë operacionit janë kontrolluar dymbëdhjetë (12) lokacione (vendbanime dhe lokale), janë ndaluar dhjetë (10) persona me aktvendim mbi ndalimin si dhe janë intervistuar edhe pesëmbëdhjetë (15) persona të tjerë në cilësinë e të dyshuarve të cilët lirohen në procedurë të rregullt, të njëjtit janë hasur duke mundësuar zhvillimin e lojërave të bixhozit online. Gjatë kontrollit edhe gjashtë (6) të dyshuar tjerë nuk janë hasur në lokacionet e tyre, andaj të njëjtit mbeten në kërkim policor”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar 4423 euro të gatshme, dy aparate të lojërave të fatit, 25 telefona mobilë, dy laptopë, dy DVR dhe materiale të tjera.

Dhjetë të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë.