Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Nga një muaj paraburgim tetë të dyshuarve pas aksionit kundër bixhozit të paligjshëm në rajonin e Mitrovicës

burg

Gjykata Themelore në Mitrovicë, degët në Vushtrri dhe Skenderaj, ua caktuan masën e paraburgimit prej një muaji tetë personave të dyshuar për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Prej tyre, gjashtë persona janë dërguar në paraburgim me vendim të Degës së Gjykatës në Vushtrri, ndërsa dy të tjerë me vendim të Degës së Gjykatës në Skenderaj.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Prokuroria e Mitrovicës bëri të ditur se gjithsej për 27 persona është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së sigurisë, ndërsa seancat janë mbajtur sot në Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj.

Operacioni i 18 prillit është realizuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, duke përfshirë rajonin e Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut dhe Skenderajt.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë aksionit janë shoqëruar 34 persona të dyshuar dhe janë kontrolluar rreth 50 lokacione, përfshirë lokale afariste dhe shtëpi private.

Po ashtu, janë sekuestruar rreth 170 mijë euro para të gatshme, pesë automjete, armë zjarri, si dhe pajisje të tjera që dyshohet se janë përdorur për zhvillimin e aktiviteteve të kundërligjshme.

Me vendim të prokurorit të rastit, 29 persona janë dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt./KSP