Kronikë

Arrestohen dy inspektorë tatimor të ATK-së për marrje të ryshfetit

Policia e Kosovës ka arrestuar dy inspektor tatimorë të ATK-së nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.

Sipas njoftimit, sot Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK) – Prishtinë ka pranuar informatë në bazë të cilës dyshohej se dy inspektor tatimor të ATK-së gjatë inspektimit të rregullt që kanë kryer në një biznes, me lokacion në Fushë Kosovë, kanë hasur në disa parregullësi dhe me qëllim që të mos e ndëshkojnë pronarin, nga i njëjti kishin kërkuar dhe marrë rryshfet në vlerë prej 50 euro.

Policia thotë se pas pranimit të informatës, janë ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore ku dhe janë siguruar provat e rastit, si monedha në vlerë prej 50€ e cila ishte në pronësi të njërit nga personat e dyshuar.

“Të dyshuarit janë shoqëruar në zyret e NJHRKEK – Prishtinë, të cilët janë intervistuar në cilësinë e personave të dyshuar në prezencën e avokatëve mbrojtës, dhe pas konsultimit me prokurorin kujdestar personave të dyshuar u është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.