Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin lirues ndaj Sami Lushtakut dhe tjerëve në rastin KEK-u, duke e refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale.
Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, i datës 9 gusht të këtij viti, është thënë nga Apeli se është vërtetuar, përpos te rasti i Esat Tahirit dhe Milazim Lushtakut, ku janë liruar për shkak të veprës penale “Falsifikim i dokumenteve zyrtare në bashkëkryerje”.
“Aktgjykimi i ankimuar, në këtë pjesë është ndryshuar, ashtu që aktakuza e prokurorisë, është refuzuar për shkak të parashkrimit të veprës penale”, thuhet nga Apeli.
Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe personat e tjerë të akuzuar në rastin “KEK-u” ishin shpallur të pafajshëm nga Gjykata Themelore.
Në këtë rast gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku u akuzuan për veprën penale mashtrim. Ndërkaq ish-drejtori i prokurimit, Driton Pruthi, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha u akuzuan për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, u akuzua për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Prokuroria pretendonte se sjellja e paligjshme e të pandehurve, ka rezultuar me dhënien e kontratës kompanisë së sigurimit “Security Code”, e cila ka ofertuar si pjesë e konsorciumit me kompaninë “WDG”. Kontrata në fjalë ishte për periudhën dy vjeçare, në shumë prej 6.182.609,76 euro, shumë kjo për të cilën pretendohej se është dëmtuar KEK-u. Pronar i kompanisë që pati fituar tenderin është Milazim Lushtaku, kushëri i Sami Lushtakut i cili po ashtu është liruar nga akuza.
Edhe
Lushtaku dhe të tjerët, të pafajshëm lidhur me “kërcënimin e dëshmitarëve”
“Gjykata Themelore në Prishtinë, në janar të këtij viti, kishte nxjerrë një aktgjykim lirues dhe refuzues për të akuzuarit E.T. dhe M.L. për shkak të veprës penale “Falsifikim i dokumenteve zyrtare në bashkëkryerje”. Po ashtu, gjykata e shkallës së parë me të njëjtin aktgjykim kishte liruar nga akuza: të akuzuarin D.P. për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar” dhe “Lidhje të kontratës së dëmshme”, të akuzuarin A.Gj. për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”, të akuzuarin H.H., gjithashtu për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”, të akuzuarin A.D. për shkak të veprës penale “Shtytje në kryerjen e veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar” , njësoj si të akuzuarit E.T. dhe S.L. Gjykata e Apelit gjeti se gjykata e shkallës së parë, nga provat e administruara, drejtë ka konstatuar se nuk janë konsumuar elementet e veprës penale, për të cilat të akuzuarit janë ngarkuar”, thuhet nga Apeli.
https://www.koha.net/arberi/163841/shpallen-te-pafajshem-lushtaku-e-te-tjeret-ne-rastin-kek-u/