Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Aktakuzë për ndërtime pa leje në Prevallë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.K., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Ndërtimi pa leje”.

Sipas aktakuzës, nga data 16.09.2021 deri më datë 09.11.2021, në fshatin turistik Prevallë - Komuna e Prizrenit, saktësisht në zonën e tretë, afër rrugës kryesore Prevallë - Shtërpcë, i pandehuri ka kryer punë ndërtimore të kundërligjshme, në zonën e cila sipas ligjit përbën zonë të mbrojtur.

Prokuroria bën të ditur se i njëjti pa leje ndërtimi të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, në kundërshtim me nenin 14 të Ligjit për Ndërtim, ka bërë ndërtimin e tri mureve mbrojtëse si dhe një pllakë nga betoni, me material të vrazhdë, duke ndërhyrë në natyrë të Parkut Kombëtar “Sharri”, përkundër faktit se ka qenë i vetëdijshëm se për këtë qëllim nuk posedon leje paraprake ndërtimore të lëshuar nga organet kompetente.

Bëhet te ditur se gjatë inspektimit në terren të punimeve nga mbikëqyrësi i zonave të mbrojtura të Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” i dyshuari është hasur duke kryer punime.

Me këto veprime, i pandehuri B.K., ka përmbushur elementet e veprës penale “Ndërtimi pa leje”.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

Artikuj të ngjashëm