Përditësim - Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka përfunduar operacioni policor në Pejë dhe se është arrestuar i dyshuari R.H.
Operacioni është kryer në bazë të urdhrit të kontrollit të Prokurorisë Speciale, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “rrëmbim” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Aksioni kishte të bënte lidhur me një proces hetimor mbi dyshimet e rrëmbimit të një personi në vitin 2021. Lidhur me këtë rast një i dyshuar tjetër ndodhet në paraburgim.
“Operacioni policor në Pejë, ka përfunduar dhe është arrestuar i pandehuri R.H., siç edhe ishte planifikuar, në bazë të urdhrit të kontrollit, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: Krim i organizuar lidhur me veprën penale “Rrëmbimi”; Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Aksioni i sotëm, në të cilin kanë marrë pjesë njësitë relevante të Policisë së Kosovës, është rezultat i një procesi hetimor mbi dyshimet për rrëmbimin e një personi, rast i cili kishte ndodhur në vitin 2021. Lidhur me këtë rast, një tjetër i dyshuar ndodhet në paraburgim. Gjatë zbatimit të urdhrit të kontrollit janë siguruar prova relevante që do të shërbejnë gjatë procedurës hetimore. Brenda afatit ligjor, Prokuroria Speciale do të do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarit R.H.”, ka njoftuar Prokuroria Speciale.
Aksion policor në Pejë
Një operacion policor, i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, është duke u zhvilluar në Pejë.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se operacioni po realizohet në bazë të urdhrit për kontroll nën dyshimet për kryerjen e veprave penale: krim i organizuar dhe rrëmbim e armëmbajtje pa leje.
“Një operacion policor, i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, është duke u zhvilluar në Pejë. Operacioni po realizohet në bazë të urdhrit për kontroll, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale: krim i organizuar; rrëmbim dhe armëmbajtje pa leje. Për detaje të tjera që mund të bëhen publike, do të ketë njoftim pas përfundimit të operacionit policor”, ka njoftuar Prokuroria.