Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

35 zyrtarë policorë akuzohen për marrje ryshfeti

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 35 zyrtarëve policorë, nën dyshimin se në pikat kufitare “Qafë Prush” dhe “Qafë Morinë”, kanë marrë ryshfet nga shtetas të Kosovës dhe të Shqipërisë, duke i lejuar të futen në territorin e Kosovës “pa i verifikuar dhe pa i kontrolluar nëse i plotësojnë kushtet ligjore”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuzë është ngritur edhe ndaj dy doganierëve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare.

Zyrtarët e pikës kufitare “Qafë Morinë” akuzohen edhe për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Prokurori Speciale njofton se të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë kanë marrë ryshfet nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me rastin e kalimit në pikat kufitare ‘Qafë Prush’, me ç ‘rast kanë lejuar hyrjen e personave në territorin e Kosovës, pa i verifikuar dhe pa i kontrolluar nëse i plotësojnë kushtet ligjore për hyrje dhe dalje nga territori i Republikës së Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet nga Prokuroria.