Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

20 muaj burgim dhe 1000 euro gjobë pasi shtiu mbi një person

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit T.R., për përdorim të armëmbajtjes dhe armëmbajtje pa leje. Ai është dënuar me 20 muaj burgim dhe 1000 euro gjobë.

Në shpjegimin e gjykatës thuhet se i pandehuri kishte përdorur armën në sy të familjes së tij, ku ishin edhe fëmijët, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme që kishte me familjen e të dëmtuarit.

“Me datën 05.06.2021, rreth orës 18:10 minuta, me dashje dhe me qëllim të frikësimit përdor armën dhe atë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, në atë mënyrë që pas një konfliktit të mëhershëm në mes të këtyre dy familjeve ditën kritike përderisa i dëmtuari kishte qenë në livadhin e tij, aty arrin i pandehuri me traktor së bashku me dy dëshmitarë të rastit si dhe tre fëmijët e tij dhe në momentin kur vëren të dëmtuarin përderisa i njëjti ishte duke drejtuar traktorin, ku në kabinë ishte së bashku me një dëshmitare dhe një fëmijë katër vjeçar ndërsa në rimorkio të ngarkuar me sanë ishte një dëshmitar dhe dy fëmijët e tjerë, për një moment lëshon timonin e traktorit merr pushkën automatike të cilën e kishte të vendosur në pjesën anash traktorit dhe del në rrugë dhe me të njëjtën shtënë dy herë me qëllim të frikësimit të të dëmtuarit S.L”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga gjykata.

Pas gjuajtjeve, i dëmtuari është shtrirë në livadh për t’u mbrojtur. Megjithatë, ai është nisur drejt shtëpisë së gjuajtësit dhe sërish ky i fundit ka qëlluar drejt tij.

“... i njëjti (i dëmtuari) niset për në drejtim të shtëpisë së tij dhe me të arritur tek udhëkryqi përsëri i pandehuri, tani në pozicionin i ulur mbi sanë në rimorkio të traktorit ku të njëjtin ishte duke e drejtuar tani dëshmitari J. me ta vërejtur të dëmtuarin S., i pandehuri shtënë me armë dy herë radhazi me ç’rast predhat e fishekëve kanë depërtuar në xham dhe në mur afër dritares së shtëpisë pronë e S.L. gjersa gëzhojat janë gjetur në mes të udhëkryqit rreth 53 m. larg shtëpisë së të njëjtit ndërsa në distancë prej 80 m. prej vendit ku janë gjetur gëzhojat në vendin ku është bërë gjuajtja e parë”, thuhet tutje.

T.R. ka kryer vepër penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Edhe Gjuajti me armë, Gjykata në Gjakovë e dënon me dy vjet burgim Kronikë Gjuajti me armë, Gjykata në Gjakovë e dënon me dy vjet burgim

Atij gjykata i shqiptoi dënimin unik me burg në kohëzgjatje prej njëzet muaj, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe dënim unik me gjobë në shumë prej njëmijë euro.

I pandehuri T.R., po ashtu u obligua që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës t’ia paguaj shumën prej 50 euro, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor shumën prej 50 euro si dhe në emër të taksës për viktimat e krimit shumën prej 50 euro, e të gjitha këto në afat prej 15 ditëve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Të pandehurit iu shqiptuar dënimi plotësues – konfiskim i armës e cila u urdhërua që të shkatërrohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.