Kronikë

Dënohet me 4 vjet e tetë muaj burgim personi që rrahu për vdekje një tjetër në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 4 vjet e tetë muaj burgim të akuzuarin N.B për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.

N.B. akuzohet për vrasjen e një personi në Prishtinë pasi e kishte sulmuar atë me grushte në pjesën e kokës, pastaj me këmbë në pjesën e kraharorit, ndërsa tashmë i ndjeri G.R e kishte humbur baraspeshën dhe ishte rrëzuar shkallëve duke pësuar kështu lëndime trupore nga të cilat edhe kishte vdekur.

“I akuzuari N.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vite e 8 (tetë) muaj, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Në këtë dënim të akuzuarit i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datë 23.07.2019 deri me datë 09.12.2019. I akuzuari N.B është akuzuar nga Prokuroria pasi që me datë 20.07.2019, rreth orës 17.50 në Prishtinë, në rrugën ‘Perandori Justinian’ në shkallët e nënkalimit nën bulevardin ‘Bill Klinton’ pas mosmarrëveshjes verbale fizikisht e kishte sulmuar tani të ndjerin – të dëmtuarin G.R, duke e goditur shumë herë me grushte në pjesën e kokës dhe e kishte goditur me këmbë në pjesën e kraharorit, për çka tani i ndjeri G.R e kishte humbur baraspeshën dhe ishte rrëzuar në shkallë me shpinë dhe kishte rrëshqitur deri te pushimorja e shkallëve duke pësuar lëndime trupore, për shkak të të cilave kishte ardhur deri te vdekja e të ndjerit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.