Vdes në Emergjencë personi që u rrah sot në Prishtinë

20 July 2019 18:16
21:22

[Plotësuar në orën 22:04 me njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës]

Policia e Kosovës ka bërë me dije se personi i cili është gjetur i shtrirë në lagjen “Pejton”, gjegjësisht tek shkallët e nënkalimit afër KEDS-it, i cili dyshohej të jetë sulmuar nga dy persona, ka vdekur në Emergjencë.

“Në ora 17:51, policia ka pranuar një informatë për një rrahje tek nënkalimi i rrugës ‘B.Kllinton’, saktësisht tek shkallët. Një person është dërguar në emergjencë, i njëjti kishte pësuar lëndime të rënda tek shkallët e nënkalimit dhe si pasojë ka ndërruar jetë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi për Koha.net.

Ai tha se këto janë të dhënat fillestare, ndërsa theksoi se Policia po mbledh të dhëna rreth rastit.

[22:04] - Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se viktima e sotme është G.R., i cili vdiq si pasojë e lëndimeve të rënda që i ka marr nga një përleshje te nënkalimi i rrugës “Bill Clinton” në Prishtinë.

“Prokuroria e Prishtinës, njofton se deri më tani nuk dihen motivet e kësaj rrahje, si dhe sulmuesi ende është në arrati”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Trupi i personit të pajetë është në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), dhe pritet të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për autopsi.

18:16

Sulmohet një person në Prishtinë, ndërhyn ndihma e shpejtë

Një person është gjetur i shtrirë në shkallët e nënkalimit në lagjen Pejton.

Sipas informatave të para, personi i shtrirë dyshohet të jetë i goditur, ndërkaq në vendin e ngjarjes janë parë ekipi mjekësorë gjithashtu edhe Policia, raporton KTV.

Sipas dëshmitarëve, viktima është goditur nga një person tjetër.

Ende nuk dihen detaje tjera ndërkaq Koha.net është duke pritur përgjigje nga Policia.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme