Kronikë

15-vjeçarja që ra nga ndërtesa në Ferizaj dyshohet se kreu vetëvrasje, motra tentoi ta ndalte

Shiriti i Policisë

Foto: Ilustrim

Policia ka njoftuar se rasti i së shtunës i ndodhur në Ferizaj, ku një 15-vjeçare mbeti e vdekur dhe një 18-vjeçare mori lëndime të rënda për shkak se kanë rënë nga lartësia e një ndërtese, është cilësuar si “Vetëvrasje”.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka thënë për KOHËN se e ndjera ka tentuar të kërcejë nga ndërtesa, ndërsa motra e saj ka tentuar ta shpëtojë, me ç’rast kanë rënë të dyja.

“Rasti është cilësuar ‘Vetëvrasje’. Nga hetimet që janë zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve, mësohet se e ndjera kishte tentuar të kërcejë nga ndërtesa, ndërsa në përpjekje për ta shpëtuar motra e vet, kanë rënë te dyja”, ka thënë ai.

Një 15-vjeçare ka vdekur e një 18-vjeçare ka marrë lëndime të rënda, pasi kanë rënë nga kati i katërt i një objekti banesor në rrugën “Sandër Prosi” të Ferizajt të shtunën në mbrëmje.

Rasti është raportuar në Polici pas orës 21:00.

Ai ka konfirmuar për KOHËN se fillimisht dy vajzat janë dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj e më pas, në gjendje të rëndë shëndetësore, janë dërguar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Si pasojë e plagëve të rënda ka humbur jetën Z.M. e moshës rreth 15-vjeçare, ndërsa e lënduar ka mbetur A.M. e moshës rreth 18-vjeçare.