Kronikë

Vetëdorëzohet në polici i dashuri i Elvana Gjatës, i dyshuari për vrasjen në Tiranë

Pesë muaj nga ngjarja e rëndë në ish-Bllok të Tiranës ku pas një përplasje mes dy grupeve mbeti i vrarë Fabiol Gaxha dhe u plagosën dy të tjerë mes të cilëve dhe Ervis Martinaj, është vetëdorëzuar në polici Ervin Mata, i dyshuar si një prej autorëve të ngjarjes, dhe njohur si fejuari i këngëtares Elvana Gjata.

Mata është vetëdorëzuar mbrëmjen e së premtes në drejtorinë e Policisë së Tiranës pasi ishte shpallur në kërkim nga policia dhe prokuroria, pasi u largua nga Shqipëria menjëherë pas ngjarjes, raporton Oranews.

Mbi 31-vjeçarin rëndon akuzua e vrasjes në rrethana të cilësuara të mbetura në tentative të kryer në bashkëpunim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.

Por burimet e “Oranews” thonë se në dëshminë e dhënë në polici ai ka mohuar të ketë qenë ai që ka qëlluar.

Grupi i Ervis Martinajt u përplas me armë zjarri me grupin e Ervin Matës, i cili është i dashuri i këngëtares Elvana Gjata.

Nga grupi i tij, Martinaj dhe Hato u plagosën, ndërsa Fabjol Gaxha u qëllua për vdekje nga ish-komandoja Mervjol Bilo, i cili është ende në kërkim.

Sipas prokurorisë, shkak për përplasjen mes dy grupeve që përfundoi me vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve, është bërë këngëtarja, e cila ishte ngacmuar nga një prej grupit të Martinajt, veprim ky që ishte parë nga Mata.

Në lidhje me ngjarjen është pyetur nga policia edhe vetë këngëtarja, e cila ka sqaruar pozicionin e saj në ngjarje dhe ngacmimin që i ishte bërë pak minuta para ngjarjes nga viktima Fabjol Gaxha.