Kronikë

Vdiq në Spitalin e Pejës një i burgosur

paraburgim

Ka vdekur në Spitalin e Pejës një i burgosur, kanë bërë të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve.

Në njoftimin e këtyre dy institucioneve thuhet se rreth orës 19:30 është konstatuar vdekja e të burgosurit H.M.

Është thënë se H.M. ishte trajtuar në vazhdimësi nga sëmundjet paraprake. Rreth orës 18:55 të hënën është thënë se ka pësuar “krizë të vetëdijes” dhe ndonëse i është ofruar ndihma nuk i ka mbijetuar sulmit.

“Sipas dosjes mjekësore i njëjti ka ardhur me sëmundje të rënda dhe me vështirësi për kujdes për vetveten. Fillimisht është pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, në pranim u vizitua nga mjeku kujdestar dhe për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore u udhëzua për në QKUK dhe pas kthimit u dërgua në stacionarin e burgut të Dubravës. Edhe në këtë institucion ka pasur vështirësi në menaxhimin e tij për shkak të sëmundjes së tij dhe nga aty është dërguar ne Spitalin e Përgjithshëm të Pejës si dhe ne QKUK. Në vazhdimësi është trajtuar sipas rekomandimeve të specialistëve! Sonte rreth orës 18:55 ka pësuar krizë të vetëdijes dhe pas reanimimit të vazhdueshëm nga mjeku kujdestar në Stacionarin e Burgut, është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Pejës, ku është konstatuar vdekja e tij. Organet kompetente janë duke i zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes”, është thënë në njoftimin.