Dy të plagosur në Rahovec, të dyshuarit dorëzohen në Polici
FOTO: Ilustrim
Dy persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë mesditën e së martës në Rahovec, ka njoftuar Policia e Kosovës. Ndërsa dy të dyshuar për rastin janë dorëzuar në Polici.
Sipas Policisë, incidenti ka ndodhur në rrugën “Fahri Fazliu”. Dy të plagosurit, të moshës madhore, janë dërguar në Spitalin e Gjakovës për trajtim.
Dy meshkujt, po ashtu të moshës madhore, siç thotë Policia, janë dorëzuar në stacionin policore.
“Lidhur me rastin është organizuar operacion bastisje ku janë konfiskuar gjashtë armë të ndryshme dhe municion. Aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast”, thuhet në njoftim.