Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e konfiskimit të 400 kilogramëve kokainë në Lipjan gjatë së hënës. Përpos substancës narkotike që është konfiskuar, të hollave dhe një veture, Policia njofton se janë sekuestruar dy revole, 50 copë fishekë, 6 telefona celularë, 6 kompjuterë, 2 laptop, 4 DVR dhe një hard-disk.
Në këtë aksion janë arrestuar shtatë persona dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Lidhur me rastin, Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se gjatë fazës së hetimeve janë përdorur masa të fshehta, ku janë përcjellë narkotikët nga Brazili.
Ai ka thënë se puna e përbashkët ekipore dërgon porosi të qarta te grupet kriminale se do të përballen me Policinë.
“Kemi bashkëpunuar me partnerët tanë. Kjo jo vetëm që ishte sfidë por edhe detyrim për ta luftuar krimin e organizuar”, ka thënë ai.