4 perditesime
17:40

Policia identifikon kompanitë që trafikonin drogën e zënë në Lipjan

Policia e Kosovës është në ndjekje të kompanisë Mcfood.al në rastin e drogës së konfiskuar në Lipjan.

Sipas Qendrës Kombëtare te Biznesit (QKB), kompania Mcfood.al është regjistruar si kompani në nëntor të vitit 2020 me bashkëpronarë nga Shqipëria dhe Kosova.

I.Sh. dhe B.H. janë bashkëpronarët e kësaj kompanie. KOHA mëson se kjo kompani ka seli në Lipjan dhe në Kavajë.

Dyshohet se në Kosovë është aktive kjo kompani nëpërmjet kompanisë nënkontraktore "Seara", duke qenë se sasia e lëndës narkotike u sekuestrua në kamion me këtë logo.

 

15:34

Sveçla pas kapjes së kokainës në Lipjan: Pas 14 shkurtit, Kosova nuk do të jetë më strehë e kriminelëve

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka përgëzuar Policinë e Kosovës bashkë me partnerët, për kryerjen e detyrës ku u kapen rreth 300-400 kg kokainë në Lipjan.

Sveçla ka thënë se Kosova do të jetë e pakompromis në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve.

“Sot gjatë një aksioni të koordinuar me institucionet e partnerëve tanë, Policia e Kosovës ka kapur një sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar, kokainë. Falënderoj institucionet e partnerëve tanë aleat që ndihmuan në këtë zbulim dhe përgëzoj pjesëtarët e Policisë së Kosovës për kryerjen e shkëlqyeshme të detyrës së tyre. Republika e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj do të jetë e pakompromis në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe që sfidojnë sundimin e ligjit”.

Ministri i Brendshëm ka shtuar se “pas 14 shkurtit, Republika e Kosovës nuk do të jetë më strehë e kriminelëve”.

14:12

Ndalohet një person për kokainën që u kap në Lipjan, priten arrestime të tjera

Agim Ademi

Dyshohet se sasia e kokainës që u kap në qytetin e Lipjanit ishte në një kamion, brenda një oborri.

Autoritetet policore janë në vend të ngjarjes dhe po merren me rastin. Deri më tani është ndaluar një person dhe pritet të ketë arrestime të tjera. 

Sipas zyrtarëve policorë, sasia e kapur nuk peshon 2.2 ton. Forenzika aktualisht është duke e bërë matjen e sasisë së kapur.

Burimet e KOHËS bëjnë me dije se janë kapur 300 deri 400 kg kokainë.

13:36

SPAK-u ende po e peshon sasinë e kapur të kokainës në Kosovë

ABC News ka siguruar fotot e kokainës së kapur në një kamion në Kosovës. Sasia prej kokainës ishte fshehur në një kontejner me mish që vinte nga Brazili. Ndërkohë kokaina ishte futur në disa pako kartoni, ndërsa ambalazhi dyshohet të jetë i ngjashëm me paketimin e mishit për t’u kamufluar.

Siç mëson abcnews, bëhet fjalë për një operacion të kryer nën koordinimin e DEA-s amerikane, të cilët kishin informacion që në origjinë për ngarkesën në fjalë duke i vendosur GPS për të parë se ku do të shkonte.

Krahas DEA-s, në operacion janë përfshirë pala italiane, si vendi ku kontejneri bëri tranzitin për në Shqipëri, pala shqiptare si edhe policia e Kosovës pasi u zbulua se cili do të ishte destinacioni final i tij. Më pas kontejneri u ngarkua në kamionin me targa 01 263 OD.

Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, Arben Kraja ka thënë se sasia e vërtetë e kapur ende nuk dihet.

“Operacioni i përbashkët mes SPAK, DEA-s, policisë italiane dhe asaj të Kosovës. Sasia e kokainës ende po peshohet”, ka thënë Kraja.

Image
13:04

Kapen 2.2 ton kokainë në Kosovë

Burimet e Top Channel bëjnë me dije se 2 ton e 200 kg kokainë janë kapur në Kosovë.

Operacioni siç bëjnë me dije u krye në bashkëpunim me policinë shqiptare, kosovare dhe atë italiane, me sinjalizimin e DEA-s amerikane. 

Mësohet se para 15 ditësh sasia e madhe ka ardhur në Durrës dhe ka qenë në vëzhgim nga policia, e cila ka lejuar që kamioni të shkojë te porositësit. 

Sipas ABC News, kamioni ka qenë i mbushur me mish dhe i është vendosur çipi nëpër kontejner. Gjithnjë sipas kësaj medie, sasia e sekuestruar është 400 kg e jo 2.2 ton. Kontejneri u ngarkua në kamionin me tabela 01 263 OD në Portin e Durrësit. 

Policia shqiptare kishte dy muaj që priste për një sasi të tillë pasi ishte sinjalizuar nga DEA. Sekuestrimi i këtij kamioni u bë nga Policia e Kosovës. 

KOHA ka kontaktuar me Doganën e Kosovës, mirëpo këta nuk ishin të informuar për rastin. Ndërkohë, Policia deri në këto momente, nuk ka kthyer përgjigje. 


Kamioni me kokainë u kap në Lipjan

Kamioni i kapur me sasi të mëdha të kokainës është kapur në Lipjan, sipas ABC News.

Kamioni kishte 15 ditë që kishte mbërritur në portin e Durrësit, ndërsa Policia e Shqipërisë po priste vendin se ku do të shkonte kjo porosi, e cila u sekuestrua nga Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme. Sipas ABC News, kamioni barte 400 kg kokainë. 

Pritet të ketë paraqitje për media nga Policia e Kosovës në orën vijuese.