1 perditesime
Kronikë e zezë

Lumezi: Përveç tetë të arrestuarve, hetimet do të vazhdojnë edhe për disa zyrtarë të tjerë të dyshuar

Lumezi: Përveç tetë të arrestuarve, hetimet do të vazhdojnë edhe për disa zyrtarë të tjerë të dyshuar
Foto: Alban Bujari/KOHA
14:19

Lumezi: Përveç tetë të arrestuarve, hetimet do të vazhdojnë edhe për disa zyrtarë të tjerë të dyshuar

Tetë zyrtarë policorë të Kosovës, dy nga ta femra dhe një i komunitetit serb janë arrestuar për disa vepra penale. Gjatë bastisjes në tri lokacione në Prishtinë, në lagjen “Taslixhe”, “Bardhosh” dhe “Stacionin e Policisë së Jugut”, janë konfiskuar nëntë telefon celularë, një veturë dhe dokumente të cilat do të shërbejnë për hetimin e mëtejmë të rastit, kanë njoftuar organet e drejtësisë të premten. 

Prokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se nuk do të tolerojnë asnjë fajtor t’i shmanget drejtësisë, ndërsa ka treguar mbi operacionin policor që çoi në arrestimin e zyrtarëve.

“Sot janë ndaluar tetë zyrtarë, dy femra dhe një i komunitetit serb. Kemi vërtetuar se puna e përbashkët prokurorit, policisë e inspektorit kanë dërguar porosi të qarta tek të gjithë pjesëtarët e grupeve kriminale që të gjithë do përballen me drejtësinë. Nuk do tolerojmë asnjë fajtor t’i shmanget përgjegjësisë”, tha ai.

Lumezi tha se do të përdoren mjetet e fshehta që të xhirohen hetimet për persona të tjerë të dyshuar, ashtu siç janë hetuar tetë policët tash pas një hetimi prej një viti.

"Përsa i përket rastit të sotëm këtu kemi filluar nëpërmjet të përgjimeve, kemi qenë duke përgjuar disa persona të dyshuar për vepra penale ku nuk kanë qenë zyrtarët policorë dhe gjatë atij përgjimit kemi marrë informacione se edhe dikush nga zyrtarët policorë është involvuar në kryerjen e veprave penale dhe madje kjo na ka detyruar që të nxjerrim aktvendimin për zgjerimin e hetimeve dhe në bashkëpunim edhe me Inspektoratin Policor kemi ardhur në këtë rezultatet që ua prezantojmë sot”, tha Lumezi.

Veprat penale për të cilat të tetë zyrtarët akuzohen janë: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të KPRK-së, “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës ose autorizimeve publike” neni 195 ”, “Ushtrimi i ndikimit” neni 424, si dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substance narkotike”.

“Me urdhër të prokurorit të Gjykatës Themelore në Prishtinë janë bastisur disa lokacione, janë sekuestruar 9 telefona, një veturë dhe disa dokumente”, shtoi Lumezi. 

Individë të arrestuar brenda Policisë së Kosovës, nuk përfaqësojnë këtë institucion, kështu tha drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti. Ndër tjera ai theksoi se aksioni i sotëm është tregues se tri institucionet janë të përkushtuar që të luftojnë çdo dukuri negative qoftë brenda Policisë apo ndonjë institucioni tjetër.

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj ka treguar lidhur me bastisjen në tri lokacionet e Prishtinës ku edhe u arrestuan zyrtarët policorë.

“Si rezultat i hetimit sot në orët e hershme të mëngjesit në Prishtinë është realizuar operacioni i koduar me emrin ‘Jugu’ me ç’rast janë arrestuar tetë zyrtarë policorë me dyshimin për veprat penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, “cenimi i së drejtës për ushtrimin e mjetit juridik”, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “ushtrim ndikimi” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar” dhe shpërndarje të narkotikëve. Me urdhër të Gjykatës Themelorë të Prishtinës, hetuesit e IPK-së kanë realizuar kontrolle në tri lokacione të ndryshme në Prishtinë, në lagjen ‘Taslixhe’, në ‘Bardhosh’ në zyrën e stacionit policor Jugu”, tregoi Hodaj.

Ndërkohë ai është pyetur se zyrtarët policorë a janë përdorues të substancave narkotike, për çka ai tha se hetimet në vazhdim do të tregojnë nëse janë përdorues apo jo.

08:07

Arrestohen tetë zyrtarë policorë, dyshohen për disa vepra penale

Tetë zyrtarë policorë janë arrestuar mëngjesin e së premtes nën dyshimet se kanë kryer veprat keqpërdorim të pozitës zyrtare, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës, ushtrim i ndikimit dhe blerje, posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike.

Të arrestuarit janë: D.M, M.G, V.F, V.B, V.SH, R.S, B.J dhe M.K.

“Në vazhdën e aksioneve të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, është edhe aksioni i sotëm që tregon fuqishëm përkushtimin e Prokurorit të Shtetit në luftën e pakompromis kundër korrupsionit. Aksioni i sotëm është realizuar edhe falë bashkëpunimit të qytetarëve me Prokurorin e Shtetit dhe IPK-në”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.