1 perditesime
14:14

Reagon Shoqata e Bankave të Kosovës: Gjendja e sigurisë në sektorin bankar është alarmuese

Shoqata e Bankave të Kosovës ka deklaruar se gjendja e sigurisë në vend për sektorin bankar është alarmuese dhe po përkeqësohet në vazhdimësi.

SHBK-ja ka reaguar pas sulmit me armë në një bankë në Prishtinë gjatë së premtes, ku thotë se sektori bankar e dënon këtë akt të lig të kryer nga grupe kriminale

Shoqata e Bankave të Kosovës vlerëson se gjendja e sigurisë në vend për bizneset dhe

në veçanti për sektorin bankar është alarmues dhe po përkeqësohet në vazhdimësi.

“Kjo gjendje e sigurisë është e papranueshme, si për sektorin bankar ashtu edhe për komunitetin e bizneseve dhe për shoqërinë tonë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Shoqata i ka bërë thirrje Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë që të veprojnë ndaj këtyre grupeve, që thonë se kanë shtuar sulmet dhe rritur intensitetin e dëmeve dhe të rrezikut për jetën dhe pronën.

“Shoqëria jonë nuk duhet të tolerojë që të humbet siguria në vend dhe të terrorizohen bizneset dhe qytetarët nga banda kriminale kudo në Kosovë”, thuhet tutje.

08:18

Plaçkitet një bankomat në Rrugën B në Prishtinë, u përdorën eksplozivi dhe armët

Një bankomat në Rrugën B në Prishtinë është plaçkitur sot në orën 5:30, ka bërë të ditur Policia e Kosovës për KOHËN.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, ku sipas saj, grabitja është kryer me një mjet shpërthyes nga disa persona të dyshuar që në ikje, kanë shtënë më armë zjarri në drejtim të rojës.

“Nuk raportohet për persona të lënduar. Derisa ekzaminimi po vazhdon në vendngjarje, hetuesit policor janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar” thuhet në konfirmimin e Ahmetit.