Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu kërkon reagim ndërkombëtar për kërcënimin e Vuçiqit që t’i ndërrohet rrjedha Ibrit

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu

Foto: Driton Paçarada

Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka quajtur shqetësim serioz dhe për t’u adresuar kërcënimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit.

Një ditë më parë Vuçiqi deklaroi se ka ftuar edhe ekspertë për këtë çështje.

Haxhiu gjatë organizimit të edicionit të nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Kosovës, ka thënë se diplomatët duhet të flasin për këtë kërcënim serioz të Serbisë ndaj Kosovës, në vendet ku shërbejnë.

“Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasojë shumë përtej një çështjeje teknike ngase do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës sonë. Për këtë arsye diplomatët tanë duhet t’i bëjnë të njohura këto deklarata në kryeqytetet ku shërbejnë dhe t’i informojnë qeveritë e vendeve pritëse për natyrën dhe pasojat e kësaj ideje absurde sa edhe kërcënuese. Duhet ta bëjmë të qartë se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Ksoovës është i papranueshëm dhe se idetë e tilla që ngjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës, duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar”, është shprehur Haxhiu.

Tutje Haxhiu ka folur edhe për gërmimet që po zhvillohen në lokacionet në Zubin-Potok. Ajo ka thënë se edhe për çështje diplomatët duhet të jenë në komunikim me institucionet e vendeve ku shërbejnë. 

“Për diplomatët tanë kjo duhet të jetë një çështje e vazhdueshme e komunikimit me Qeveritë dhe institucionet e vendeve ku shërbejnë. Partnerët tanë duhet ta dinë që edhe sot në Kosovë po gjenden dëshmi të reja të krimeve të luftës dhe se drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre, ende pret përgjigje. Prandaj duhet t’i bëhet presion Serbisë që të hap arkivat”, ka deklaruar Haxhiu.

Para pak ditësh u identifikua dhe konfirmua prania e mbetjeve mortore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar në Zubin-Potok gjatë vazhdimit të hetimeve për rastin e krimeve të luftës.

Edhe Asnjë reagim nga QUINT-i për kërcënimet e Vuçiqit ndaj Kosovës Arbëri Asnjë reagim nga QUINT-i për kërcënimet e Vuçiqit ndaj Kosovës

Kërkesa që Serbia t’i hapë arkivat, me qëllim zbardhjen e fatit të rreth 1600 të pagjeturve, është riaktualizuar pikërisht pasi brenda pak më shumë se një jave u zbuluan tri varreza masive në Zubin-Potok.

Gjithashtu është kërkuar nga Bashkimi Evropian që Serbia të zbatojë plotësisht zotimet e Deklaratës për Personat e Zhdukur.

Nëpërmjet deklaratës, më 2023, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishin dakorduar në dialog për të zbardhur fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.