Arbëri

Hapen zyrat e Agjencisë Kadastrale në komunat veriore

Ministri i MMPHI-së Liburn Aliu, së bashku me drejtorin e AKK-së Avni Ahmeti, kanë qëndruar në Komunën e Mitrovicës së Veriut, me rastin e funksionalizimit të shërbimeve kadastrale dhe hapjen e zyrave kadastrale komunale.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë se është lajm i mirë hapja e kësaj zyre.

Ai ka thënë se të gjithë qytetarët e Mitrovicës së Veriut mund t’i kryejnë shërbimet që ofrohen në kuadër të kësaj agjencie.

“Unë i bëj ftesë, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të vinë e t'i shfrytëzojnë mundësitë”, ka thënë ai.

Aliu ka thënë se në Mitrovicë sot u rihap sot zyra komunale kadastrale.

Sipas tij, kjo ka qenë në bazë të marrëveshjes së mëhershme e hapur, ka funksionuar një kohë e pastaj është mbyllur.

“Sot po ashtu e bëjmë hapjen edhe të zyrave komunale kadastrale për herë të parë, që nuk kanë qenë më herët, në Komunën e Zveçanit, në Komunën e Leposaviqit dhe në Komunën e Zubin Potokut - ku edhe atje do të kenë mundësi qytetarët që të shkojnë e t'i marrin certifikatat e pronësisë, respektivisht kopjen e planit, fletën poseduese në zyrat komunale”, ka thënë ai.

Ahmeti ka thënë se është një përpjekje e kahmotshme e Agjencisë Kadastrale të Kosovës për shtrirjen e autoritetit edhe në tri zyre kadastrale komunale, respektivisht edhe në komunën e Mitrovicës së Veriut. Kjo sipas tij, jo se qytetarët e këtyre komunave kanë mbetur pa shërbime kadastrale, pasi thekson se ato janë kryer në Agjencinë Kadastrale të Kosovës (në Prishtinë).

“Mirëpo në baza ditore kemi pasur ankesa të këtyre qytetarëve të këtyre komunave për koston e ardhjes në Prishtinë, për koston apo shpenzimin e kohës së tyre për ta marrë një certifikatë dhe një kopje të planit - një shërbim që është i garantuar edhe me Kushtetutë. Tash këto do t'i kenë në komunat aktuale dhe do të kenë qasje të drejtpërdrejtë, të lehtë, të shpejtë dhe me një kosto shumë më të ulët”, ka thënë ai.

{gallery}