Arbëri

Lladrovci akuzohet se po ua jep pronën publike atyre që e kanë ndihmuar në fushatë

Ka dështuar të enjten seanca komunale e Kuvendit të Drenasit që për rend dite kishte propozim-vendimet për dhënien në shfrytëzim prej 99 vjetësh të pesë pronave të komunës. Opozita ka kundërshtuar dhe ka lëshuar sallën duke hedhur akuza se këto prona, përfshirë objektin e vjetër të Komunës, nga kryetari Ramiz Lladrovci po u jepen firmave dhe individëve që e kanë ndihmuar atë në fushatën zgjedhore

Partitë opozitare në Drenas kanë pamundësuar kalimin e propozimit për dhënin e objektit të vjetër të Komunës dhe katër parcelave të tjera në shfrytëzim prej 99 vjetësh. Këshilltarët e subjekteve në opozitë lëshuan sallën me të përfunduar diskutimet e mbledhjes së Kuvendit Komunal të Drenasit, që është mbajtur të enjten. Atyre iu bashkuan edhe pesë asamblistë të partisë në pushtet.   

Gjatë debatit disa nga asamblistët kanë thënë së prona po u jepet privatëve për ndërtime banesore. Ata akuzuan kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, se duke manipuluar me idenë e “zhvillimit të qytetit” është duke ua kthyer borxhin atyre që e kanë ndihmuar në fushatën zgjedhore. 

Azemine Gjoka, nga grupi më i madh opozitar, Demokratët për Drenasin, parti e krijuar vitin e kaluar pas ndarjes në dysh të PDK-së, ka thënë se kjo është përpjekje për grabitjen e pronës së Komunës. 

“Nëntori është muaji kur janë gdhendur datat më të rëndësishme kombëtare, prandaj ne sot nuk bën assesi që datën 24 nëntor ta kujtojmë si datë e turpit tonë, nëse veprojmë me logjikën grabitqare. Sot e kemi momentin që të gjithë ne të dëshmojmë se sa parësore është vendi ynë, komuna jonë. Prona publike me u grabitë për interesa personale nuk bën me ndodhë. Sot unë dhe të gjithë ne duhet me u çu e me dalë prej seancës. Nuk na falet ky moment nëse qëndrojmë”, ka thënë Gjoka. 

Arbër Halilaj nga iniciativa qytetare “Green për Drenas” ka thënë se ky veprim do të shëmtojë dhe degradojë qendrën e qytetit të Drenasit.

“Këto propozim-vendime nuk përmbajnë destinimin as arsyetimin e interesit publik, as qëllimin e zhvillimit ekonomik, punësimin e qytetarëve apo rritjen e mirëqenies së tyre, që do të duhet të sillte dhënien në shfrytëzim të këtyre pronave. Cili është interesi publik i qytetarëve të Drenasit dhe i zhvillimit lokal ekonomik me këtë rast”, ka pyetur Halilaj.

Këshilltarja komunale e Lëvizjes Vetëvendosje, Florentina Elezi-Veliu, ka thënë se do të votojë kundër pasi dhënia e këtyre pronave nuk i kontribuuan interesit publik.  

“Në sallën e kulturës që ju doni ta jepni për banesa janë mbajtur seanca, takime, festivale e organizime rinore të shumta. Po ashtu është qendra për promovimin e të drejtave të grave, e cila bën një punë të mrekullueshme për të gjitha gratë e Drenasit. Kur e morët këtë vendim për ta dhënë këtë parcele për interesa të ngushta, a e keni menduar se ku do të mbahen tash e tutje këto organizime”, ka thënë Elezi-Veliu. 

Kryetari Ramiz Lladrovci në arsyetimin e tij ka thënë se nga dhënia në shfrytëzim e këtyre pronave do të përfitojnë si komuna ashtu edhe qytetarët, pasi vlera e investimeve, sipas tij, do të jetë 10 milionë euro e numri i të punësuarve 207.

“Kushdo që mendon ndryshe edhe unë kam dëshirë për ta bërë objektin vetë me pare tona, por përderisa nuk kemi as ujë, nuk i kemi kryer një mori shërbimesh për qytetarët tanë, nuk kemi mjete për t’i ndarë për objekt për ta bërë tonin në pronën e komunës. Prandaj, jemi të detyruar edhe t’i hapim rrugë mundësie zhvillimit, por edhe për të pasur kapacitete për komunën tonë për institucionet e komunës sonë”, ka thënë Lladrovci.

Në mesin e arsyetimeve ai ka përmendur vjetërsinë e objektit të Komunës dhe mundësinë që nga shembja e tij të pësojnë qytetarët.

“Janë disa aksionarë që janë bërë bashkë të Komunës sonë dhe unë i gëzohem që në Komunën tonë ka njerëz që kanë kapacitet e mundësi me ba një objekt, i cili kish me i ofrua mundësi  zhvillimi komunës tonë... Në këtë zonë Komuna me 27 për qind do të fitojë sallën e re të kulturës, do të fitojë objekte administrative për nevoja të komunës. Ju e dini që ne në këtë objekt nuk kemi mundësi të zhvillimit pasi është objekt i vogël dhe nuk po mundemi ose nuk kemi vende të mjaftueshme për zyrtarët tanë”, ka thënë tutje Lladrovci. 

Me të përfunduar fjalimi i tij Kuvendi ka shkuar në pauzë, por në mungesë të numrave nuk ka vazhduar mbledhja.  

Pas daljes nga salla asamblistët që kundërshtuan propozimin thanë se nuk do të ndryshojnë qëndrim. 

Egzona Tërdevci, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se këto prona do të jepen si shpagim i kryetarit ndaj personave të caktuar. 

“Ne nuk kemi asgjë kundër në parim që të zhvillohet qyteti i Drenasit, por jemi kundër që përfitimet të jenë tek ata që e kanë ndihmuar kryetarin Lladrovci gjatë kohës së fushatës. Ai tani po i shpërblen. Siç po i shpërblen me tender, ka vendosur për t’i shpërblyer edhe me prona publike. Objekti që po shihet mbrapa nesh planifikohet të jepet për ndërtimin e objektit afarist- banesor”, ka thënë Tërdevci. 

Edhe Driton Ajazi nga Demokratët për Drenasin, që ishte rivali kryesor i Lladrovcit në balotazh, ka thënë se me këto veprime ai ka për synim t’i shpërblejë grupet e interesit me pronë komunale për shfrytëzim 99 vjet. 

“Ne kemi qenë kundër që nga fillimi i procesit. Sot kemi demonstruar opozitarizëm edhe brenda asamblesë, duke i dhënë qëndrimin tonë dhe në mënyrë demonstrative duke braktisur seancën, sepse ne nuk pajtohemi që në objektet ku kanë qenë apo janë institucionet publike të rrënohen dhe të ndërtohen banesa private”, ka thënë Ajazi. 

Opozita në Drenas ka paralajmëruar protesta e hapa të tjerë, siç thanë ata, për të mbrojtur pronën publike. 

Pesë pikat e rendit të ditës në mbledhjen e së enjtes ishin: Propozim-vendimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë prej 99 vjetësh të pronës së paluajtshme të Komunës të personit fizik juridik “Limit Project” shpk, “Rinesa” shpk në zonën kadastrale Komoran, pastaj “Fer Petrol” zona kadastrale Çikatovë e Re, Blerim Kluna - zona kadastrale Komoran, Habib Miftari – zona kadastrale Korroticë e Epërme dhe zona kadastrale në Gllogoc. 

Kompania “Rinesa” është e regjistruar në Agjencinë e regjistrimit të bizneseve në Kosovë në emër të Faton Ramadanit, vëllai i Burim e Arsim Ramadanit, të dënuar me burg në rastin e njohur si rasti “Kiqina”, e që në zgjedhjet e fundit ka qenë një përkrahës i madh i kryetarit Lladrovci, duke shprehur atë hapur edhe në rrjete sociale.