Komuna e Drenasit ka miratuar vendimin paraprak për t’i dhënë në shfrytëzim për 99 vjet 51 prona komunale, me rreth 600 hektarë sipërfaqe. Propozimi u kundërshtua nga opozita e cila e akuzoi pushtetin lokal se në prag të zgjedhjeve po e rrit klientelën me dhënien e pronave publike. Nga 54 prona, tri u hoqën nga lista, në mesin e të cilave edhe ajo e Shtëpisë së Kulturës, që ishte paraparë të jepej për ndërtime të larta
Posterë me mbishkrimet “Stop pazareve me prona publike”, “Koha për dorëheqje” e të tjerë, u vendosën në hyrje të objektit të Komunës nga opozita në Drenas, për të kundërshtuar dhënien e 54 pronave të paluajtshme për shfrytëzim afatgjatë, te personat fizikë e juridikë.
Postera të tillë, që e bënin kryetarin e Komunës, Ramiz Lladrovci, “agjent të patundshmërive”, u vendosën edhe brenda sallës së Kuvendit Komunal, ku prej orës 10, pritej të niste seanca në të cilin do të miratohej vendimi paraprak për pronat.
Kur Lladrovci hyri në sallë, nisi të ironizojë.
“A po më fotografoni se nuk kam probleme me fotografi as me postera?”, tha ai.
Kërkoi fotografi edhe me dy të tjerë që mbanin në duar aktivistë të “Demokratëve për Drenasin”.
“Bima bir këtu, bima”, iu drejtua një aktivisti Lladrovci.
Ai doli jashtë që të kërkonte nga sigurimi largimin e tyre.
“E keni obligim ligjor”, iu tha Lladrovci.
U ngrit edhe një herë nga ulësja e tij që t’ia bënte të qartë sigurimit se kë donte t’ia largonin nga salla.
Aktivistit Përparim Haradini, që u largua nga salla, paraprakisht i është demoluar vetura. Sipas tij, kjo është hakmarrje për kundërshtimin që po ia bënte Lladrovcit.
Lladrovci e shtyu vetë seancën edhe për një kohë, meqë deputetët e PDK-së nuk ishin mbledhur mjaftueshëm në numër brenda sallës.
Burime të KOHËS thanë se më shumë se gjysma e asamblistëve të kësaj partie, gjatë një mbledhjeje të mëngjesit, ia kanë bërë të qartë Lladrovcit që nuk do të votojnë pro vendimit, nëse nuk do t’i hiqte nga lista e pronave që jepen në shfrytëzim, tri sosh që kanë nxitur kundërshtimin më të madh.
Gati një orë pas, Lladrovci u kthye në sallë.
Gjatë gjithë kohës i jepte instruksione kryesuesit se si udhëhiqej seanca.
“Kryesues ata që janë në këmbë ose le të ulen, ose le ta lëshojnë sallën”, i tha në një moment kryesuesit.
“S’ka diskutim në rend të ditës”, i tha atij gjatë seancës.
Vërejtje i gjente edhe sekretariatit që numëronte votat e asamblistëve.
“17 edhe 13 bëjnë 30, ah 12”, tha Lladrovci.
Pas diskutimeve, në rend dite erdhi propozimi për dhënien në shfrytëzim të pronave, në mesin e të cilave edhe hapësirat në qendër të qytetit, si ajo ku ndodhet objekti i vjetër i komunës dhe Shtëpia e Kulturës, hapësira e çerdhes, ajo e shtëpive që shumë banorë i kanë në shfrytëzim dhe stacioni i vjetër i autobusëve.
Lladrovci e arsyetoi dhënien në shfrytëzim të parcelave me sipërfaqe më shumë se 600 hektarë.
“Janë në interes të komunës dhe në interes të zhvillimit, në interes të atyre investitorëve që sjellin vende të reja të punës dhe që i sjellin të hyra komunës sonë”, tha ai.
Por, opozitarët e kundërshtuan.
“Si mund të justifikohet një vendim i tillë që do ta transformonte objektin komunal në një ndërtesë banesore, si mund të mendohet që një çerdhe fëmijësh, institucion kyç për mirëqenien e fëmijëve, të zhduket për t’u zëvendësuar me një objekt afarist”, tha gjatë diskutimeve Azemine Gjoka, asambliste e “Demokratët për Drenasin”, një subjekt politik opozitar i formuar para zgjedhjeve të fundit nga të pakënaqurit e PDK-së.
Lladrovci iu përgjigj.
“Azemine, asnjë përgjigje prej meje nuk e merr. Me vend e ki fjalimin. Të uroj, të përgëzoj”, iu drejtua ai.
Ndërkaq, Egzona Tërdevci, asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje, hodhi akuza ndaj Lladrovcit.
“Një shpërdorim i tillë i pasurisë publike po bëhet me qëllime shumë të qarta, shpagim i borxheve të fushatës dhe përgatitje për zgjedhjet lokale të vitit 2025. Qeverisja e kësaj komune nuk e ka hallin as te zhvillimi ekonomik, as te rritja e vlerës së këtyre pronave e as te punësimi. Halli i vetëm i tyre është rritja e klientelës për zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Tërdevci.
Në emër të PDK-së, asamblist Milaim Hajdari propozoi që lista e sponsorizuar nga Lladrovci të kalojë, por pa tri pronat në qendër të qytetit, e për të cilat pushteti mori kritikat më të mëdha. Propozimi i tij kaloi me votat e shumicës së asamblistëve.
Pas vendimit, Lladrovci nuk ishte konkret kur u pyet se pse ishte interes publik të shpronësoheshin pronat të cilat ndodheshin në listë deri pak kohë para votimit në Kuvendin Komunal dhe pse tani ka interes publik që ato të mos shpronësohen, meqë u hoqën nga lista.
“Sepse, nëse mua grupi jem ma kërkon me heq dhe t’i japim rrugë pronave të tjera, zhvillimit të komunës, unë nuk qes asnjë pengesë”, është përgjigjur Lladrovci.
Ai është pyetur se si do të vepronte nëse këtë do ta kërkonte një grup tjetër i asamblistëve.
“Unë kisha vepruar ashtu siç i kisha pasur kërkesat e grupit tim”, ka thënë ai.
Me vendimin e Kuvendit Komunal, u dha drita jeshile për t’i dhënë 51 prona në shfrytëzim për 99 vjet, përfshirë disa në qendër të qytetit dhe të tjera me qasje në magjistralen Prishtinë-Pejë.
Pavarësisht kundërshtimeve, Drenasi jep në shfrytëzim 51 prona komunale
(E përditësuar 12:17) - Me 17 vota për, 12 kundër dhe një abstenim, Kuvendi Komunal i Drenasit të enjten ka vendosur t’i japë në shfrytëzim 51 prona komunale për 99 vjet pavarësisht kundërshtimeve të opozitës se kjo po bëhet për interesa të njerëzve të afërt të kryetarit Ramiz Lladrovci.
Ishin planifikuar që në shfrytëzim të jepen 54 prona komunale, por pas diskutimeve nga lista u hoqën parcelat tek objekti i vjetër i Komunës, te çerdhja dhe aty ku është bërë shpronësimi i shtëpive.
Opozita kundërshton dhënien e pronave komunale, Lladrovci thotë se sjellin vende pune
(E përditësuar 12:05) - Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Drenas, Egzona Tërdevci, ka thënë se dhënia në shfrytëzim e 54 pronave komunale për 99 vjet po bëhet për shpagim të borxhit të fushatës dhe përgatitje për zgjedhjet lokale të vitit 2025.
Sipas saj, qeverisja e udhëhequr nga Ramiz Lladrovci nuk e ka hallin e zhvillimit ekonomik por rritjen e klienteles për zgjedhjet e ardhshme.
“Është përmend shumë herë në këtë Kuvend por edhe jashtë tij që ne po e pengojmë zhvillimin e Drenasit me mosvotimin e këtyre pronave por asnjëherë nuk janë prezantuar para nesh kërkesat e investitorëve qofshin vendorë ose të huaj për këto prona, asnjëherë nuk ka pasur një analizë të matshme për vlerën aktuale të këtyre pronave e vlerën që do ta kishin përmes dhënies në shfrytëzim, prandaj kjo demagogjia që po ndalet zhvillimi ekonomik nuk është aspak e vërtetë. Ne si VETËVENDOSJE! e kemi kundërshtuar dhe do të vazhdojmë të kundërshtojmë dhënien e pronave të paluajtshme të komunës së Drenasit për shfrytëzim afatgjatë për 99 vite sa herë që nuk bëhet fjalë për interes publik, ne nuk kemi qenë asnjëherë e as nuk jemi kundër zhvillimit ekonomik të komunës sonë, por dhënia e 54 pronave publike pa asnjë analizë të mirëfilltë për 99 vite nuk i kontribuon këtij zhvillimi”, ka thënë ajo ndër të tjera.
Tërdevci u ka bërë thirrje asamblistëve që të reflektojnë dhe të mos votojnë që këto prona komunal të jepen në shfrytëzim për kompanitë private, “pasi kështu e dëmtojmë interesin publik e po lëmë gjeneratat që vijnë pa zgjidhje për investime publike”.
Këtyre akuzave iu përgjigj kryetari Lladrovci, i cili duke iu drejtuar opozitës ka thënë se nuk kanë lënë metodë pa provuar për të gjetur diçka të kundërligjshme tek ai.
“Nuk keni lënë metodë pa përdorë për me mujt me më gjet diçka. M’u ka bë kontrolli detajisht i të gjithë pasurisë sime dhe familjarëve të mi prej babagjyshit e katragjyshit deri ditët e sotme. Keni dështu sepse unë tërë jetën time kam luftu për liri të Kosovës dhe zbatim të ligjit. Këto parulla ju vrasin juve, jo mua”, ka theksuar ai.
Asamblistja Tërdevci ka theksuar se nuk është marrë asnjëherë me jetën personale të Lladrovcit.
“Mua më intereson vetëm se si e kryen punën si kryetar. Nuk dhe arsye për interesin publik në ato prona”, ka shtuar ajo.
Lladrovci: Pronat do të sjellin vende të reja pune dhe të hyra për Komunën
(E përditësuar 11:30) - Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se dhënia në shfrytëzim e 54 pronave komunale do të sjellë vende të reja të punës dhe të hyra për Komunën.
Opozita në Drenas të enjten ka protestuar kundër dhënies në shfrytëzim të këtyre pronave komunale, duke vendosur postera kundër Lladrovcit në sallën e Kuvendit Komunal e duke akuzuar se këto prona do t’ia japë njerëzve të afërt të Partisë Demokratike të Kosovës.
Në fjalën e tij, kryetari i Drenasit ka thënë se askush nuk mund ta akuzojë se është marrë vesh me dikë për këto prona.
“Komuna ka nevojë ta ketë një listë preliminare dhe atë t’ia ofrojë qytetarit. Ne i kemi edhe dy faza tjera për t’i shpallur dhe për t’ua dhënë atyre që janë më të mirët sipas Komisonit. Kjo nuk nënkupton që këto prona jemi duke i vendos në votim të dytë sepse ne mund t’i paraqesim pronat të cilat janë në interes për investitorin. Në Gllanasellë, në udhëkryqin e rrugës te varrezat në Likoshan, kompania e rritjes së rosave i ka kërkuar katër hektarë dhe ka deklaruar se do t’i punësojë 400 gra e vajza të zonës. Ka dhjetëra parcela tjera që janë në interes te zhvillimit të Komunës që sjellin vende të reja të punës dhe që i sjellin të hyra Komunës tonë. S’dua t’ia mbush mendjen askujt a të votojë a jo dhe askush ama askush nuk mund të më thotë mua se kam folur me dikë. Grupi jonë është unik. Të gjithë të tjerët që do të na mbështesin i falënderoj”, ka thënë ai.
Sipas Lladrovcit, për tri pronat që po kërkohen të largohen, “do ta shqyrtojë sepse nuk bllokoj punë”.
Ai më pas ka hedhur akuza drejt Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se ka dhënë prona me qira në rrugë magjistrale për vetëm 128 euro qira në muaj.
“Për mediat, i kam tri kontrata të qeverisjes së Vetëvendosjes që flasin për ruajtjen e pronave e që në rrugë kryesore rajonale magjistrale jep prona 40 hektarë për një qira bruto 128 euro”, ka deklaruar Lladrovci.
Asamblisti i PDK-së, Milaim Hajdari, ka propozuar që të hiqen nga lista parcelat tek objekti i vjetër i Komunës, te çerdhja dhe aty ku është bërë shpronësimi i shtëpive.
E Azemine Gjoka nga Demokratët për Drenasin ka thënë se dita e sotme është prej vendimeve më kritike për të ardhmen e Drenasit. Ka kërkuar që pronat komunale që planifikohen të jepen për kompanitë private të trajtohen veçmas.
“Sot jemi përballë me një prej vendimeve më kritike për të ardhmen e qytetarëve të Drenasit. Dhënia në shfrytëzim për 99 vjet e pronave publike është akt që kërkon analizë te thellë dhe të qartë. Ne propozojmë klasifikimin e parcelave që janë të destinuara për institucionet publike. Pronat për interes të investitorëve duhet të trajtohen veçmas”, ka thënë ajo.
Seanca e planifikuar e Kuvendit Komunal ka vazhduar pasi protestuesit janë larguar nga salla.
Kundërshtohet dhënia në shfrytëzim e 54 pronave komunale në Drenas
(10:20) - Opozita në Drenas ka kundërshtuar dhënien në shfrytëzim të 54 pronave komunale.
Kjo pikë është në rend dite në seancën e Kuvendit e cila do të mbahet sot.
“Pronat publikë për qytetarët, jo për dosta” është një mbishkrim që përfaqësues të opozitës e kanë venduar në foltoren e sallës së Kuvendit Komunal.
Në sallën e Kuvendit është ngjitur edhe një poster me fotografinë e Lladrovcit ku shkruan “Agjent i Patundshmërive. Jap pronat publike, klient të preferuar i ka dostat që ia financojnë fushatën”.
kundërshtimet janë bërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Demokratët për Drenasin.
Pas kundërshtimeve që ka bërë opozita, kryetari i Drenasit Ramiz Lladfrovci, i ka marrë drejtorët dhe janë larguar nga salla. Ai ka thënë se do të kthehen kur të ketë kushte për mbajtjen e seancës.
Përparim Haradini, njëri nga aktivistët që ka kundërshtuar dhënien në shfrytëzim të pronave ka thënë se para zhvillimeve në seancë i është dëmtuar vetura.
“Komentet e mija, disave po u pengojnë. Por le ta dinë mirë, që nuk tërhiqem mbrapa. Jam çdo herë me zërin ndryshe, jam çdo herë me ata që do e bëjnë Drenasin të jetueshëm e të punueshëm. Servilët mendimin e pavarur e xhelozojnë, sepse tani i kanë duart e lidhur nga shefat e tyre”,
ku ka shpërndarë edhe një fotografi të veturës së dëmtuar.