Arbëri

Ecje e vrapim për ndërgjegjësim lidhur me kancerin e gjirit

Descriptive Text

Kontrollet rutinë për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit janë të domosdoshme për përballje më efikase me këtë sëmundje të rëndë, është thënë të dielën në Prizren gjatë një aktiviteti ndërgjegjësues. Ndërsa të mbijetuarat kanë vënë në pah rëndësinë e solidarizimit me pacientet, si dhe vetëdijesimin e shoqërisë për parandalim

Të mbijetuarat e kancerit të gjirit dhe përkrahësit e tyre të dielën, në Prizren, kanë vënë në pah nevojën për kontrolle rutinë me qëllim të zbulimit të hershëm të kësaj sëmundjeje.

Gjatë edicionit të katërt të “Race for the Cure” (Gara për shërim) të organizuar nga shoqata e grave në luftë kundër kancerit të gjirit “Renesansa”, është shprehur rëndësia e solidarizimit me pacientet, por edhe vetëdijesimi i shoqërisë për përballje me këtë sëmundje të rëndë.

E mbijetuara nga Gjilani, Shemsije Maloku-Thaçi, ka pohuar se vazhdimisht merr pjesë në “Race for the cure” për t’i inkurajuar gratë për triumf ndaj kancerit të gjirit.

“Vij çdo vit në përkrahje të shoqeve të mia, nënave, vajzave, me ju dalë në ndihmë. Si mua që më ka ndihmuar dikush dhe më ka dhënë përkrahje, edhe unë në njëfarë mënyre jam një shtytje për to që me mendua që ia dalin, mbijetojnë, e kalojnë këtë sfidë të vështirë për jetën”, ka thënë ajo.

Doktoresha Vildane Goga-Çmega ka bërë të ditur se në tërë botën për çdo vit zbulohen rreth 1.2 milionë raste të reja të kancerit të gjirit, me ç'rast deri në 750 mijë raste përfundojnë me vdekje.

një e treta e rasteve të kancerit të gjirit mund të parandalohen nëse zbulohen herët apo në kohën kur gruaja nuk ka simptoma, mirëpo bën në mënyrë periodike ekzaminime për zbulim të kancerit të gjirit”, ka deklaruar ajo.

Violeta Pirana nga shoqata “Renesansa” ka pohuar se qëllimi i këtij aktiviteti që mbahet në gjithë Evropën është solidarizimi me të mbijetuarat e kancerit të gjirit, inkurajimi i pacienteve të reja, por edhe ndërgjegjësimi i shoqërisë.

“Se kanceri i gjirit është duke i vërshuar të gjitha gratë në Kosovë, numri është në rritje e sipër, prandaj ne dëshirojmë që të vetëdijesojmë të bëjnë kontrolle graduale çdo herë, në mënyrë që ta parandalojnë dhe ta zbulojnë herët kancerin e gjirit”, është shprehur Pirana.

Aktiviteti “Race for the Cure” do të mbahet edhe në Prishtinë më 16 tetor 2022.