Të hënën në sheshet kryesore të kryeqytetit u marshua për ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit.
Në marsh morën pjesë shumë gra të cilat janë të diagnostikuar me kancer të gjirit, por edhe të tjera të cilat kishin ardhur që t’iu japin më shumë rëndësi kontrolleve të shpeshta në zbulimin e hershëm të sëmundjes.
Marshi u organizua nën patronazhin e presidentes Vjosa Osmani-Sadriu. Ajo tha se ky muaj është një kujtesë për guximin dhe jetën, duke bërë thirrje për kontrolle të rregullta.
“Në këtë muaj ne nuk flasim vetëm për dhimbje, por flasim mbi të gjitha për guxim. Nuk flasim për sëmundje por flasim për jetë. Sot jemi këtu për të nderuar kauzën dhe frymën, frymën e grave që nuk u dorëzuan, që u përballën me frikën dhe e kthyen atë në forcë. Çdo kontroll, çdo ekzaminim i rregullt është një mundësi për jetë. Dua që të inkurajoj çdo grua që të mos ketë frikë nga kontrollet. Kanceri i gjirit nuk është fundi, mund të jetë një kapitull shumë sfidues”, ka theksuar Osmani-Sadriu.
Drejtoresha e organizatës “JETA/VITA”, Nafije Latifi, ka theksuar mungesën e stafit për t’i trajtuar pacientët me kancer të gjirit, duke thënë se mungesa e stafit të specializuar po mbetet sfidë më vete në Kosovë.
“Konsideroj se sot është edhe një moment reflektimi, sepse përkundër përparimeve që janë evidente, ende përballemi me mungesë të stafit të mjaftueshëm, me nevojë për më shumë hapësira trajtimi, për barna më të avancuara, si dhe mbi të gjitha për krijimin e një qendre për kujdes paliativ, ku pacientëve do t’u ofrohej lehtësim i dhimbjeve dhe fund më i dinjitetshëm i jetës. Pa këtë shërbim jetik shumë pacientë përballen me vuajtje të mëdha duke lënë pas familjet e traumatizuara për gjithë jetën”, ka deklaruar Latifi.
“Nuk mund të kaloj pa e shtruar edhe pyetjen themelore për të gjithë ne, a kemi vendosur vërtet pacientin në qendër të sistemit tonë shëndetësor, apo bëjmë gjithçka që mundemi apo ndoshta na mungojnë empatia, përgjegjësia dhe ndjeshmëria njerëzore që shpesh vlejnë më shumë se çdo terapi”, ka shtuar ajo.
Ndërsa përfaqësuesja nga Onkologjia, Dafina Ademi, tha se Kosova ishte në terr informativ lidhur me sëmundjen, kurse tani falë ndërgjegjësimit dhe përpjekjeve të shumta, është arritur përmirësim i dukshëm në vetëdijesimin dhe trajtimin e grave.
“Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë që prek gratë në Kosovë. Këtë vit në klinikën tonë janë regjistruar 330 gra si dhe tre burra të prekur me kancer të gjirit. Mbijetesa e përgjithshme më e mirë për këtë sëmundje arrihet atëherë kur kemi një menaxhim gjithëpërfshirës të saj. Ngritja e vetëdijes, edukimi shëndetësor, zbulimi i hershëm, diagnostikimi me kohë, kirurgjia e gjirit… janë hallkat e menaxhimit të kancerit të gjirit. Tani Kosova frymon ndryshe, ne mund të flasim për popull më të vetëdijshëm për të njohur shenjat dhe simptomat e kancerit, flasim për më shumë aparatura diagnostike”, ka theksuar Ademi.
Për 19 vjet ky marsh mbahet në Kosovë, me qëllimin e vetëm ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit dhe bërjen e kontrolleve të hershme nga gratë.