Arbëri

Bali Muharremaj e ndan rrogën e shkurtit për Fondin për Siguri

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar se rrogën e muajit shkurt do ta kalojë në Fondin për Siguri që është themeluar sot nga Qeveria e Kosovës.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Muharremaj ka thënë se si ushtarak me profesion, por edhe si ish-pjesëtar i UÇK-së, e konsideron se është momenti i duhur ta ndihmojë avancimin e ushtrisë së vendit.

Ai më tej ka ftuar kabinetin qeveritar, të zgjedhurit e popullit dhe udhëheqësit e tjerë që të ndajnë të ardhurat e tyre për këtë fond.

“I ftoj deputetët, ministrat dhe udhëheqësit e dikastereve të tjera të ndajnë të ardhurat e tyre për sigurinë e vendit tonë. Megjithëse qytetarët tanë po përballen edhe me rritje çmimesh, si në energji elektrike e shumë të tjera, le ta bartim më shumë ne udhëheqësit peshën e kësaj situate”, ka shkruar më tej ai.