Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, lehtësira në rekrutimin e stafit shëndetësor.
Sipas Bulliqit, me numrin e punonjësve shëndetësorë që aktualisht janë në këtë qytet, është e pamundur të ofrohen shërbime cilësore. Këto komente ai i ka bërë pas një takimi që ka pasur me ministrin Latifi, sekretarin e MSH-së, Naim Bardiqi dhe drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.
Sipas njoftimit të Zyrës për Informim të Komunës së Podujevës, gjatë këtij takimi Bulliqi ka kërkuar mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë në realizimin e projekteve, të cilat ndikojnë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.
“Në fokus të takimit tonë ishte diskutimi për projektin e ndërtimit të Qendrës Urgjente në Podujevë, ku për fillimin e tij ditë më parë kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëfinancimi me ‘Qatar Charity’ dhe kërkuam që edhe Ministria e Shëndetësisë të përfshihet në bashkëfinancim”, ka thënë Bulliqi. "Kërkova eliminimin e pengesave për rekrutim dhe krijimin e mundësive për rritje të stafit shëndetësor, sepse me numrin aktual është e pamundur të ofrohen shërbime cilësore dhe sipas nevojave të qytetarëve llapjanë”.
Kryetari Bulliqi ka thënë se ka kërkuar ndihmën e instancave qendrore të shëndetësisë edhe për funksionalizimin e objektit të ndërtuar afër shkollës “Enver Maloku” në mënyrë që të fillohet me ofrimin e shërbimeve specialistike për pacientët llapjanë.
"Edhe ministri Latifi u zotua se Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK-ja brenda mundësive do ta ndihmojnë Komunën e Podujevës në realizimin e këtyre kërkesave, si dhe për projektet tjera të rëndësishme për komunën", thuhet tutje në këtë njoftim.
-
Podujeva nënshkruan marrëveshje me IRK-në për të ndihmuar familjet në nevojë
-
Vitia e Bulliqi premtojnë shërbime specialistike në Podujevë
-
Përurohet QMF në Gllamnik, Bulliqi: Do t’i plotësojë nevojat e qytetarëve
-
Kryetari i Podujevës flet për projektet e planifikuara për vitin 2023
-
Sulmohet mjeku në Podujevë, reagon Bulliqi