Mjeku i Emergjencës në Podujevë A.B. është sulmuar fizikisht nga një person gjatë ditës së diel në vendin e punës, duke i shkaktuar lëndime trupore. Lidhur me këtë rast KOHA ka kërkuar përgjigje nga drejtori i QKMF-së, Ymer Llugaliu, Policia e Kosovës dhe kryetarja e Sindikatës së Shëndetësisë në këtë komunë, Shqipe Ramadani, por deri në momentin e raportimit, të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook ka kërkuar nga organet e rendit që të ndërmarrin masa ndaj autorit të sulmit.
“Sulmi ndaj mjekut në QKMF në Podujevë është një akt i papranueshëm dhe i turpshëm.
Duke e dënuar ashpër sulmin ndaj mjekut në vendin e tij të punës, kërkoj nga organet e rendit të ndërmarrin masat ligjore dhe të nxirret para drejtësisë autori i sulmit”, ka shkruar Bulliqi.
Ky sulm është dënuar edhe nga menaxhmenti i Qendrës Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF). Nëpërmjet një reagimi të postuar në rrjetet sociale, thuhet se sulmi i mantelbardhëveështë shqetësues dhe krijon pasiguri.
“Ne, menaxhmenti i QKMF-së në Podujevë, dënojmë ashpër sulmin në vendin e punës ndaj kolegut tonë Dr. A.B. Sulmi i vazhdueshëm ndaj stafit të mantelbardhëve në vendin e tyre të punës është tejet shqetësuese dhe krijon pasiguri tek secili punëtor shëndetësor! Ftojmë organet kompetente në zbardhjen e rasteve si dhe ofrimin e sigurisë në ambientet e punës!
Kolegut tonë i urojmë shërim dhe kthim të shpejtë në misionin e shenjtë të mjekut!”, thuhet në reagim.
Ditë më parë në vendin e punës është sulmuar edhe mjeku i këtij institucioni I.H.