Arbëri

Lladrovci emërohet ushtrues detyre i kryetarit të Degës së PDK-së në Drenas

Ramiz Lladrovci është emëruar ushtrues detyre i kryetarit të Degës së PDK-së në Drenas, ka bërë të ditur kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Krasniqi ka shkruar në Facebook se së shpejti Lladrovci do ta udhëheqë kryesinë e re të degës së PDK-së në komunën e Drenasit.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Kryesisë së partisë.

“Drenasi është bastion i pathyeshëm i Partisë Demokratike të Kosovës dhe qytetarët e Drenasit nuk kanë pasur kurrë dilemë se ku është adresa e tyre politike. Ramiz Lladrovci është dhe do jetë kryetar i Drenasit, sepse puna e tij është vlerësuar nga qytetarët dhe fitorja e tij s’do të mund të grabitet nga oportunistët. Nga sot, Ramiz Lladrovci është edhe U.D. i Kryetarit të Degës së PDK-së në Drenas e do të udhëheqë Kryesinë e re të degës sonë atje. Ky vendim u votua sot në mbledhjen e Kryesisë së partisë, bazuar në Statutin e PDK-së”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij, Lladrovci e ka transformuar Drenasit dhe se për këtë arsye ai do të fitojë në balotazh.

“Ramizi e ka transformuar Drenasin dhe ka plan e pasion për zhvillimin e mëtejmë e kësaj komune. Për të, kjo garë nuk është manifestim i pushtetit, por përkushtim ndaj qeverisjes që zhvillon e hapë perspektivë. Prandaj, ai do të fitojë, sepse qytetarët e Drenasit janë të vendosur për zhvillim dhe ata e dinë se zhvillimi në Drenas është projekt i përhershëm i Partisë Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, Ramiz Lladrovci ka shkuar në balotazh me kundërkandidatin e tij nga Demokratët për Drenasin, Driton Ajazi.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, Ramiz Lladrovci ka fituar 45,62%, ndërkaq Driton Ajazi ka fituar 30,74% të votave.

Ajazi ishte larguar nga PDK-ja këtë vit, pas pakënqësive në lidhje me kandidimin e Lladrovcit sërish për kryetar të komunës.