Arbëri

Spitali i Gjilanit me 140 të hospitalizuar, ka mungesë të personelit shëndetësor

Fluksi i madh i pacientëve dhe mungesa e stafit shëndetësor janë problemet kryesore në Spitalin e Gjilanit. Qytetarët që ishin të hospitalizuar, në mesin e tyre edhe mërgimtarë, kanë bërë thirrje për kujdes dhe vaksinim kundër koronavirusit

Thirrjen për t’u vaksinuar kundër COVID-19 Sadik Shkodra, njëri nga pacientët e hospitalizuar, e përsërit disa herë, derisa tregon se vetë nuk ka mundur të vaksinohej. Por, jo për shkak se kishte dyshime apo se kishte hezituar, por për shkak se qendrat e vaksinimit nuk punonin në vikend.

“Kemi qenë në terren t’u punua edhe u dashke me caktu termin, e vikendeve nuk punojshin se për këtë kemi mbetë, se ne jemi me marrë vaksinën, si të forcohemi kemi me marrë menjëherë”, thotë ai, i cili tash e 5 ditë është duke qëndruar në Spitalin e Gjilanit.

E në mesin e rreth 140 pacientëve që janë të hospitalizuar në Spitalin e Gjilanit ka edhe mërgimtarë që erdhën për pushime në Kosovë e u infektuan me COVID-19.

Ibush Suli, i cili jeton në Gjermani, thotë se trajtimi në këtë spital po i shkon mirë dhe sapo t’i përmirësohet gjendja do të udhëtojë për në Gjermani, te familja.

“Jo s’kam kërkuar se njëherë në fillim nuk besova. Unë COVID-in e kalova shumë shpejt tani rruazat e bardha më ranë në zero edhe më ranë krejt viruset”.

Shefja e Repartit të Infektives në këtë spital, Mirvete Daku - Kurteshi, tregon se mungesa e stafit shëndetësor e fluksi i madh i pacientëve po u sjellin probleme të shumta në menaxhim të situatës.

“Nuk ka staf të mjaftueshëm kemi mungesë të jashtëzakonshme të stafit, kemi nevojë për mjekë të rinj që do të na ndihmonin për punë të përditshme të pacientëve”, shprehet ajo.

Ajo ka theksuar se pacientët që po kërkojnë ndihmë spitalore po vijnë në gjendje të rëndë dhe se shumica tashmë janë të moshave të reja.

“Vërejmë që kemi shumë pacientë që nuk janë vaksinuar. Kanë hezituar dhe tani pësojnë forma të rënda të sëmundjes, por kemi edhe që janë vaksinuar me një apo dy doza”, tregon ajo, teksa thotë se shpresojnë se masat e marra nga institucionet të ndihmojnë në uljen e numrit të të infektuarve.

Drejtori i spitalit në Gjilan, Ukshin Ismajli, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë u ka premtuar që shumë shpejt do t’u sjellin staf shëndetësor.

“Problemet më të mëdha i kemi me stafin e mesëm me ata infermierë, po shpresojmë që në konkursin e fundit të MSh-së të vijnë sa më shpejt. Na janë premtuar 45 infermierë”, thotë ai.

Ismajli ka bërë të ditur se ky spital ka në dispozicion 190 shtretër për pacientë me COVID-19 dhe se shumica e shërbimeve jourgjente tashmë janë ndërprerë, për shkak të lirimit të hapësirave.