1 perditesime
Kosovë

Banorët e nxënësit të pakënaqur me sigurinë në lagjen “Bajram Curri” të Prizrenit

Banorët e nxënësit të pakënaqur me sigurinë në lagjen “Bajram Curri” të Prizrenit
15:53

Banorët e nxënësit të pakënaqur me sigurinë në lagjen “Bajram Curri” të Prizrenit

Prizren, 19 janar – Në vendin e ngjarjes, në rrugën “Ylber Fanaj” ku të hënën ishte vrarë me thikë nxënësi 15-vjecar L.B., banorë të lagjes "Bajram Curri" bashkë me nxënës të martën kanë vendosur lule. Nga aty kanë përçuar porosinë që rastet e tilla mos të ndodhin më, derisa nga institucionet e sigurisë kanë kërkuar shtim të masave të sigurisë.

Banori 67-vjecar i kësaj lagjeje Haxhi Jëlliqi i ka bërë thirrje të rinjve që të kenë kujdes për njëri-tjetrin. “Ju lutem që ta doni njëri-tjetrin si vëllezër e motra. Sikur në përpara shumë vitesh. Ata që i kemi pas shokë apo shoqe të klasës i kemi dashur si vëllezërit apo motrat tona. Edhe ju bëjeni këtë, amani ju koftë”, ka thënë Jëlliqi.

Para ecjes deri në vendin e ngjarjes, grupi i banorëve dhe nxënësve, janë grumbulluar në afërsi të hyrjes së shkollës së mesme të mjekësisë “Luciano Motroni”. Në këtë protestë kanë shprehur indinjatën për ndodhinë e djeshme dhe mos veprimin e duhur të institucioneve shtetërore. Krahas thirrjeve për drejtësi është kërkuar edhe shtimi i masave të sigurisë për të gjithë nxënësit që ndjekin mësimet në shkollat e kësaj lagjeje.

Haxhi Jëlliqi ka shprehur qëndrimin se shkaku i fluksit të madh të nxënësve në këtë lokalitet duhet të ketë prani më të madhe të organeve të rendit. "Mbi të gjitha institucionet e shtetit tonë nuk po funksionojnë si i ka hije. Për shembull i ruajnë kishat, i ruajnë çdo betere, e nuk i ruajnë shkollat tona", ka thënë ai.

Ndërsa Nderim Shala, përfaqësues i lagjes “Bajram Curri” ka pohuar se duhet të merren masa adekuate që rastet e tilla të evitohen. “Jemi të tronditur, dhe kërkojmë siguri nga Policia e shtetit që të jetë nëpër shkolla. Përndryshe do të revoltohen popullata”, ka deklaruar Shala.

Bashkëmoshatarët që kanë marrë pjesë në këtë protestë, viktimën e incidentit të djeshëm, i cili ka qenë nxënës i shkollës së mesme të mjekësisë, e kanë përshkruar si nxënës të mirë dhe të urtë. “Ai djalë s'ka qenë për me shku andej. Ai djalë ka qenë shumë i urtë. Ka mësuar, ka ndejtur urtë. Po këtu fajet i ka pas shteti, se që prej se janë çelur shkollat a kanë qenë me thanë 2-3 herë apo s'kanë qenë", është shprehur Besfort Tahiri.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës në raportin ditor ka theksuar se për rastin e vrasjes me thikë është arrestuar i dyshuari i mitur, që është dërguar në mbajtje për 24 orë. Sipas Policisë rasti vazhdon të hetohet.

Prokuroria Themelore e Prizrenit përmes një komunikate ka bërë të ditur se dje, rreth orës 10:00, është njoftuar nga Policia e Kosovës, se në rrugën “Ylber Fanaj” në Prizren, ka ndodhur një përleshje fizike në mes disa të rinjve, të mitur, ku janë përdorur edhe mjetet e mprehta. “Në bazë të informacioneve njëri nga sulmuesit e kishte goditur viktimën me mjet të prehtë përkatësisht me thikë në pjesën e majtë të gjoksit, e cila ka rezultuar me pasoja fatale për viktimën”, thuhet në komunikatë. Prokuroria ka njoftuar se nga informacionet fillestare rezulton se “në rastin konkret të miturit e përfshirë në përleshje kanë poseduar një armë zjarri dhe dy thika”.

“Momentalisht, prokurori kujdestar së bashku me policinë janë duke bërë hetime, për të zbuluar motivet e ngjarjes dhe për ta zbardhur rastin në tërësi”, vijon komunikata. Aty shtohet se Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që ndaj të miturit që ka shkaktuar vrasjen të caktohet masa e paraburgimit, derisa dy të miturit e tjerë, që kanë marrë pjesë në përleshje, janë liruar në procedurë të rregullt.

Të martën edhe dega e PDK-së opozitare në Prizren ka reaguar lidhur me incidentin e djeshëm, duke theksuar se siguria në shkollat e qytetit është e brishtë. Kryetari i kësaj dege, Shaqir Totaj ka vlerësuar se ky rast, duhet jetë sinjal për të gjitha institucionet e sigurisë, e posaçërisht për lidershipin komunal lidhur me rritjen e nivelit të përgjegjshmërisë së institucioneve edukativo-arsimore.

09:19

Protestë në Prizren pas vrasjes së 15-vjeçarit

Banorë të lagjes "Bajram Curri" bashkë me nxënës të martën kanë organizuar protestë pas incidentit të djeshëm që ka rezultuar me vdekjen e nxënësit 15-vjeçar.

Ata kërkojnë drejtësi për këtë rast, si dhe shtim të masave të sigurisë për të gjithë nxënësit që ndjekin mësimet në shkollat e kësaj lagjeje.

Sipas tyre kërkesat e deritanishme të lagjes nuk janë trajtuar me seriozitet nga institucionet shtetërore.

Njëherësh është apeluar që nxënësit të tregojnë kujdes për njëri-tjetrin.