Arbëri

Banorët mbledhin nënshkrime kundër fabrikës në Dresnik, ekspertët paralajmërojnë për dëmet mbi mjedisin

Rreth 5 mijë nënshkrime të qytetarëve të Komunës së Klinës pritet që t’iu dorëzohen institucioneve komunale e atyre qendrore javëve në vazhdim, për të parandaluar ndërtimin e një fabrike për nxjerrjen e gurit gëlqeror.

Inicimi i këtij peticioni, sipas përfaqësuesve të banorëve të disa fshatrave të Klinës, ka ardhur pas pëlqimit që Komuna e Klinës ka lëshuar për kompaninë “Ramstone”, pëlqim që i hap rrugë ndërtimit të kësaj fabrike, raporton KTV.

Paraprakisht, të njëjtës kompani në maj të 2019-ës Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale i kishte lëshuar licencë hulumtimi.

E qytetarë të kësaj ane kanë paralajmëruar protesta, në rast se nuk ndalohet ndërtimi i saj.

Derisa Faton Berisha, ekspert në fushën e mjedisit, si dhe banor i Komunës së Klinës, ka treguar për dëmet që ndërtimi i kësaj fabrike do të shkaktonte në rast se ndërtohet.

E zëdhënësja e Komunës së Klinës ka thënë se pasi që qytetarët të sjellin peticionin në komunë, do të shohin se si do të veprojnë tutje.

Edhe pse Kuvendi Komunal i Klinës në shkurt të 2019-s kishte marrë vendim që të ndalohet dhënia e lejeve kompanive që aplikojnë për gurëthyes në aksin rrugor Prishtinë- Klinë, tani për tani vetëm në zonën e Dresnikut veprojnë 8 kompani.

KTV-ja për dhënien ose jo të pëlqimit mjedisor për kompaninë “Ramstone” e ka pyetur edhe Ministrinë e Mjedisit, por ajo nuk ka kthyer përgjigje.