Patrioti në muaj klith fuqishëm emrat e Ulqinit e të plazheve të Shqipërisë për të veruar. Racionali në mua që nuk ka nevojë për vizë për të shkuar në vendet evropiane, më tund kokën nga plazhet e dynjasë
Vitin e shkuar shkova në Nicë verës. Dy herë. Bëra sefa dhe foto në plazhet në Cannes, Antibes, Eze, Monte Carlo e gjetiu.
Zakonisht nuk e tregoj këtë, se si përmbledhje do të mund të më fuste në përkufizimin e snobit. E unë besoj se nuk jam snob. Përkundrazi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPlazhi i vogël i Ulqinit që banoret vendase e quajnë Ranë, po hapte sezonin vjet në fund të majit dhe burri që po mblidhte paratë e çadrave në ditën e dytë, po më kërkonte pesë euro më shumë se një ditë më parë për shërbimin. Nëse donim, po thoshte. Nëse jo, mund të shkonim gjetiu. Gjerë e gjatë i kemi rrugët, na përkujtoi.
Ani, thashë unë. E shkova në Nicë.
Mora banesë në qendër të Rue Jean de Medecin dhe aty kisha dy çadra dielli për plazhet, ku nuk kisha nevojë të paguaja asnjë cent. Në Antibes, midis plazhit, në baret me hije, piva kafe dhe coca-cola për më pak se 5 euro gjithsej. Çmimet e restoranteve ishin pak më të shtrenjta, por jo domosdoshmërisht më të shtrenjta se disa nga vendet në Ulqin, ndërsa ushqimi dhe shërbimin ishin larg e larg më cilësorë. Në fund, përfundova me shpenzime aty-aty me Ulqinin, përfshirë edhe biletën e aeroplanit. Pata pushime ëndrrash. E falënderoj atë burrin e çadrave në Plazhin e Vogël të Ulqinit.
Ani, meqë Ulqini qenka shtrenjtuar përse nuk shkove në Shqipëri? – do të më pyesë dikush si më patriot dhe më antisnob.
Kam qenë, more.
Në Himarë desh më rrehën në restorant. I pyeta nëse do ta lëshonin ndeshjen e futbollit në ekranin e madh. Më thanë po. U ula. Porosita. Sa porosita ma ndërruan kanalin, për të lëshuar një ndeshje të Greqisë. Kërkova ta anulonin porosinë, se kisha ardhur shkaku i ndeshjes, por m’u mblodhën me kamerierë e pronarë e kushërinj të ma tregonin qejfin. Mezi shpëtova.
Në Vlorë m’i përzunë fëmijët. Të hoteli (aty-aty me apartamentin e Nicës sa i përket çmimit) ishte një djalë që rrinte te parkingu, kryesisht në diell dhe mua më dhimbsej. Gjoja më ndihmonte të dilja nga parkingu dhe unë ia jepja 200 lekë secilën herë. Njëherë, fëmijët e mi pa e ditur ritualin tim me këtë djalin e parkingut, morën të më ndihmonin për të dalë nga parkingu, e ai i përzuri: Ikni atje!
- Si të të jap tani 200 lekë, kur m’i përzure fëmijët? – e pyeta sinqerisht.
- Është puna imë kjo, ngulte këmbë ai.
Gjetiu kisha probleme me internetin në dhomë, me defekte të dushit në banjë, me karrige të thyera në ballkon, me kartelë për hapjen e derës që nuk funksiononte e shumëçka tjetër që, në komunikimin e parë, të shtynte në kufijtë e një zënke fizike.
Në Shën Gjin, ndërkaq, desh e rraha kamerierin unë vetë. Pas dreke, i kërkova një coca-cola zero, se dieta, e kamerieri nga larg si me shpërfillje me një përveshje fytyre ma lëshoi një: ncuk dhe vazhdoi punë të tjera. I kërkova edhe një herë, kur ia zura shikimin dhe sërish, me të njëjtën shprehje: ncuk. U çova në këmbë: Çka u bo djalë i mirë, pse nuk më shërben?
- Po, s’kemi! – më tha si pa të keq.
Tybe, në Ulqin, po t’i kërkoja krokodil kamerierit, do të shkonte ta gjuante diku në Nil, e do të ma sillte në tavolinë, jo se është burrë i mirë, po se ka përvojë turizmi dhe di të m’i marrë paret. M’u kthye disi dëshira e Ulqinit.
Sivjet mendova të shkoja sërish atje.
Erdha në Ulqin. Dy çorba peshku, një linguini me karkaleca dhe një peshk, me një sallatë dhe pije joalkoolike në Bunë. 74 euro.
Kur u ulëm me fëmijët e mi në një restorant në Nicë vjet, vajza ime pati njëfarë droje, kur nisi shërbimi. Akulli servohej në enë speciale, shërbimi me shumë mirësjellje i kamerieres të bënte të ndiheshe i veçantë, ushqimi të linte pa mend. Vajza kishte drojë se do të bëhej shumë shtrenjtë sa të mos mund ta përballonim. Fatura: 73 euro.
Çadra në Nicë falas. Në Ulqin: 25 euro. Baldahina 60 euro.
Hajde të mos bëhemi snobë, shkova në Tampico, ende ishin 12 euro çadrat. Hajde, hiqu restoranteve, të hamë në qebaptore. Një dhjetëshe dhe një pesëshe, me dy coca-cola, 21 euro. Kërkova edhe jogurt. Më tha: S’kemi.
- Mos je nga Shqipëria, i thashë.
- Aa, jo, jo, ma ktheu.
- Veç pyeta.
Patrioti në mua klith në kupë të qiellit: Ulqin dhe Shqipëri. Njeriu racional në mua që nuk ka nevojë më për vizë për të dalë në BE, nuk bën zë – vetëm më tund lehtë kokën për Nicën.
Nuk besoj se unë jam snob. Po të shkoja në Shqipëri e në Ulqin do të isha snob. Fundja, nuk kam aq para sa të shkoj aty.
Tash të shkoj prapë në Nicë, a? Pih.
Me fjalë të tjera: Janë hequr vizat!