Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Rrëfime paqeje

Ahmet Shabo me sarajevasit e vet në Ukrainë, Von Trotta në shembjen e Austrohungarisë dhe dy kamenicas që kthehen prej Jemenit

1.

“Nuk mund të flas për atë që ndodhi në Hoqin, në tokën e largët të Rusisë”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me këtë fjali fillojnë rrëfimi i Ahmet Shabos dhe romani “Kështjella” i Mesha Selimoviqit. 

Ahmet Shabo është i mbijetuari i një grupi ushtarësh sarajevas që shkuan të luftonin diku në Lindje. Shokët e tij të luftës - rojtarë, të papunë, teneqexhi, ofiqarë e të tjerë-janë pjesë të ushtrisë otomane që lufton Komonuellthin polako-lituanez.

Hoqini ishte i lagësht, qoftë me lumë, këneta a shi, dhe Ahmet Shabo e shihte tashmë lagështinë e shiut në të kthyer në Sarajevë vetëm me sytë e atij vendi në bregun lindor të Dnjestrit.

Ahmet Shabo ishte në Ukrainë më 1621, i prirë nga Sulltan Osmani II. 

Ushtria osmane u ndal në Hoqin dhe u kthye prapa. Prej atëherë Hoqini ka qenë herë pjesë e Perandorisë Osmane, herë principatës së Moldavisë, herë e Komonuelthit polako-ukrainas, herë e Bashkimit Sovjetik dhe Ukrainës së pavarur. Sot është në jugperëndim të Ukrainës, prej aty shkojnë ushtarë ukrainas në front dhe vijnë refugjatët nga fronti.

Thotë Ahmet Shabo: “Nuk mund të flas për atë që ndodhi në Hoqin, në tokën e largët të Rusisë. Nuk ia vlen të flitet për vrasjen e tmerrshme, për frikën njerëzore, për mizoritë e njërës dhe palës tjetër, nuk duhet të kujtohet, as të vajtohet, as të festohet”.

2.

Në bregun perëndimor të Dnjestrit, madje bukur larg tij, diku afër Lvivit, u zhvillua një roman tjetër për një luftë tjetër dhe për një fërkim tjetër mes dy sistemeve të ndryshme civilizuese. Në marshin “Radetzky”, Joseph Roth përshkruan një fisnik austrohungarez (me prejardhje sllovene) që dërgohet në vendin kufitar W., në Galici, në kufirin lindor të Austrohungarisë, atij që ndan Evropën çfarë e njohim prej Rusisë. 

Ky vend, që quhet Brody, e ku është lindur autori Joseph Roth, është pjesa e Ukrainës që sot nuk është përfshirë në luftime. Apo, ashtu i duket, sepse lufta nuk është vetëm me plumbat, krismat e bombave, artilerisë e dronëve, por edhe rrëfimet, madje në masë të madhe rrëfimet.

Në marshin “Radetzky”, kryepersonazhi përshkruan momentin në të cilin jetonin atëbotë, para asaj lufte dhe tash, para kësaj lufte, banorët e këtij vendi:
"Ata jetonin në një botë që kishte mbaruar tashmë, megjithëse askush nuk e kishte njoftuar ende vdekjen e saj".

Asokohe vdiste rendi i Perandorive (Austrohungareze, Otomane), kësaj here rendi i ndërtuar në masë të madhe nga Pax Americana që nga viti 1945.

3.

Jemeni është afër zonës së sotme të luftës në Gjirin Persik.

Ka qenë edhe para njëqind e pesëdhjetë vjetësh. 

Asokohe Perandoria osmane ritualisht duhej të merrej me kryengritje të arabëve-dikush i quante fise, dikush popuj e Porta e Madhe rrezik për namin e saj dhe për mbarëvajtjen e Perandorisë - dhe ritualisht Porta mobilizonte ushtarët e vet besnikë ballkanikë, në krye me shqiptarët.
Në mesin e tyre ishin disa nga Kamenica. E kryen shërbimin e vet ushtarak, nuk e di a dy, a tre vjet, nuk i kujtohej tamam as rrëfimtarit Azem Vllasi, dhe të gëzuar që janë gjallë, që nuk u mungon as sy, as këmbë e dorë, të tërhequr nga malli i vendlindjes dhe një jete përpara që lë pas Arabinë e lëmshin e përhershëm me të, nisen këmbë prapa. 

Kalojnë shkretëtira e lumenj, liqene dhe male, pyje të dendura me kafshë të egra dhe rrugë të hapura me cuba e ushtarë të harruar të ushtrive që nuk ekzistonin më. Kalojnë që të gjitha fshatrat, ku asnjë fjalë e vetme nuk ishte e kuptueshme; kalojnë nëpër që të gjitha shikimet e frikës së banorëve prej atyre, të panjohurve që nuk mund të tregonin se kush ishin. Kalojnë edhe shikimet e atyre që po e ktheve kokën edhe një herë në atë drejtim, zor që mund ta kthesh kokën prapë kurdoherë tjetër dhe ngado tjetër. Kalojnë shiun të cilit i gëzohen kur flokët e sytë u ishin mbushur zall dhe kalojnë borën së cilës nuk i gëzohen as me kujtesën e pashlyeshme të fëmijërisë, sepse opingat tashmë janë duke humbur cipën e fundit të ndërmjetësimit mes shputës e dheut.

E dikur hyjnë në Kosovë, fillimisht me vesh. Dëgjohen më në fund fjalët që kanë kuptim, formë, erë dhe ngjyrë. Dinë se po afrohen dhe se janë ndonjë një orë a më pak afër fshatit, kur pas të gjitha shkretëtirave, lumenjve, pyjeve me shtazë e rrugëve me cuba, fjalësh të gjuhëve që duhej të ishin të dala të gjitha nga Kulla e Babelit, mbërrijnë te një përpjetë e ngushtë dhe e lartë, përpjeta e fundit pas së cilës del fshati. E njohin menjëherë dhe ofshajnë sikur të ishte edhe një rrugë si ajo prej Jemenit deri këtu: “Ah, na zuri dreqi, mbërritëm te Brija”; ofshama e fundit para cakut, shenja e pashmangshme se sa i vështirë duket në fund të fundit kalimi prej luftës në paqe.

4.

Paragrafi i plotë i parë i Ahmet Shabos është ky:

“Nuk mund të flas për atë që ndodhi në Hoqin, në tokën e largët të Rusisë. Nuk ia vlen të flitet për vrasjen e tmerrshme, për frikën njerëzore, për mizoritë e njërës dhe palës tjetër, nuk duhet të kujtohet, as të vajtohet, as të festohet. Është më mirë të harrohet, në mënyrë që kujtesa njerëzore për çdo gjë të shëmtuar të vdesë dhe që fëmijët të mos këndojnë këngë për hakmarrje”.

Kjo mbetet në letërsi. Jashtë saj jetojmë në botën kur flitet për Hoqinët e sotëm e të kaluar, flitet për vrasjen e tmerrshme, për frikën njerëzore, për mizoritë e njërës dhe palës tjetër dhe kujtohet e vajtohet dhe festohet. Kujtesa njerëzore për çdo gjë të shëmtuar po rilind me çdo ditë lufte dhe fëmijët përgatiten të këndojnë këngët e reja për hakmarrje.