Më 6 janar 2021, Donald Trumpi i nxiti militantët e tij ta përmbysin demokracinë amerikane. Ai ëndërronte manipulimin e zgjedhjeve, i pëlqente të ishte në krye të një puçi dhe ta varroste Kushtetutën e SHBA-së. Kur nervozohej, gjuante muret e Shtëpisë së Bardhë me keçap. Këtë e tregojnë hetimet dhe intervistat që janë duke u zhvilluar në Capitol Hill
Donald Trump është një njeri i veçantë. Dhe ky konstatim nuk është i menduar si kompliment. Nganjëherë sjellja e tij nuk dallon me atë të një fëmije 3 apo 4-vjeçar që gjuan me lodra, që shtyn fëmijët e tjerë dhe i rrëzon, që përlyen tavolinën dhe godet me grushte.
Nga mesi i dhjetorit 2020, pak më shumë se një muaj pas zgjedhjeve presidenciale amerikane, të cilat i kishte fituar Joe Biden, ministri i Drejtësisë në kabinetin e Trumpit, William Barr, njoftoi opinionin se, përkundër pretendimeve të presidentit Trump, nuk ka asnjë dëshmi, asnjë shenjë dhe asnjë indikacion se zgjedhjet presidenciale janë vjedhur apo manipuluar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKur Trump e dëgjoi këtë deklaratë të ministrit të tij, filloi të gjuajë me ushqimin e drekës, të cilën po e hante në dhomën e tij të ushqimit në Shtëpinë e Bardhë. Kështu ka treguar së fundi Cassidy Hutchinson, asistente e shefit të shtabit të Trumpit, gjatë dëgjimeve që po bëhen në Capitol Hill, në tempullin e demokracisë amerikane, të cilin më 6 janar 2021 e sulmuan militantët e Donald Trumpit - të nxitur nga presidenti. Cassidy Hutchinson tha se kishte parë copëza enësh të thyera në dysheme dhe i kishte ndihmuar kamerierit ta fshijë keçapin nga muri. Të paramendojmë këtë situatë: një president nuk pajtohet me rezultatin e zgjedhjeve demokratike dhe gjuan me salcë domatesh. Mund të ishte skenar i mirë për fabrikat e filmit në Hollywood, por s’është, sepse është realitet. Në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka ndodhur që një president ta trajtojë vendin e tij si republikë bananesh, siç ka vepruar Trumpi me përkrahësit e tij të verbër.
Donald Trump ëndërronte manipulimin e zgjedhjeve, i pëlqente të ishte në krye të një puçi dhe ta varroste Kushtetutën e SHBA-së. Këtë e tregojnë hetimet dhe intervistat që janë duke u zhvilluar në Capitol Hill.
Në ekipin e Trumpit kishte zyrtarë që përpiqeshin të evitonin më të keqen. Pat Cipollone, shefi i shërbimit juridik në Shtëpinë e Bardhë, ishte njëri prej tyre. Javën që shkoi ai në dëshminë e tij tha: “Dikur duhet ta pranosh rezultatin zgjedhor dhe të mbyllësh gojën”. Ministri i Drejtësisë, William Barr, dhe ai i Punës, Eugene Scala, po ashtu tentuan ta pengojnë Trumpin në aventurën e tij. Pa sukses.
Më 18 dhjetor 2020, Trump pa dijen e bashkëpunëtorëve më të ngushtë i ftoi në një mbledhje në Shtëpinë e Bardhë disa përkrahës agresivë. Mbi stabilitetin e tyre mendor, moralin dhe etikën ka dyshime të mëdha. Sidney Powell, avokate nga Teksasi dhe nëna e të gjitha teorive konspirative, luftonte që të emërohej nga Trumpi si hetuese e “zgjedhjeve të manipuluara” (sipas saj). Michael Flynn në fillim të presidencës së Trumpit kishte qenë këshilltar për Siguri Nacionale. Pas dy muajsh në post, u detyrua të largohet sepse kishte gënjyer FBI-në mbi kontaktet e tij me “diplomatë rusë”. Në dhjetor 2020 Trump e amnistoi Flynnin dhe tani ai nga Oval Office në Shtëpinë e Bardhë po jepte këshilla për ta përmbysur rendin demokratik. Flynn ishte në kontakt të ngushtë me grupet radikale të së djathtës, të cilat më 6 janar 2021 do ta sulmonin Capitol Hillin. Marrëzia e Flynn shkoi aq larg, saqë i tha presidentit Trump se makinat elektorale në SHBA ishin manipuluar nga hakerët venezuelas. Një nga propozimet e çmendura të grupit të ithtarëve të Trumpit ishte konfiskimi i makinave elektorale. Pjesë e grupit ishte edhe Rudy Giuliani, avokat i Trumpit, i cili juristët që tentonin ta pengonin Trumpin në aventurën e tij i ofendoi si “bunch of pussies” (lexuesit kureshtarë mund t’i përkthejnë vetë këtë fjalë vulgare).
Sipas Cassidy Hutchinson, disa nga pjesëmarrësit e mbledhjes i kishte zënë dukshëm alkooli. Në komunikimet e saj në atë kohë, Hutchinson i quante pjesëmarrësit e mbledhjes “të çmendurit” (crazies).
Pas të gjitha këtyre akuzave, shumica të bëra nga zyrtarë republikanë, jo nga demokratët, mund të merret me mend se karriera politike e Trumpit ka marrë fund dhe se atë tani e presin prangat e drejtësisë. Por kjo është larg nga e vërteta. Trump ka arritur ta fusë brenda Partisë Republikane virusin e besimit në lajme të rrejshme. Andaj shumë republikanë ende besojnë se zgjedhjet e 3 nëntorit 2020 i ka fituar Donald Trumpi. Dhe Trump mund të jetë kandidat për zgjedhjet presidenciale në vitin 2024.
Stephen Ayres ishte njëri nga militantët e Trumpit që sulmoi Capitol Hillin. Tani gjatë dëshmisë së tij, ai tha: “E kam humbur vendin e punës dhe më është dashur ta shes shtëpinë. Ajo ditë e ka ndryshuar jetën time. Përfundimisht jo për të mirë”.
Stephen Ayres është ndër të paktit që mendon kështu. Shumë të tjerë s’janë penduar dhe duan ta shohin idhullin e tyre, D.T, prapë në Shtëpinë e Bardhë. Nëse ndodh kjo, ekziston rreziku që tirani i portokalltë ta kryejë misionin që e ka nisur: shkatërrimin e demokracisë amerikane.